UBT News

Protestë në Prishtinë kundër rritjes së çmimit të rrymës

Sot në Prishtinë është mbajtur protestë kundër kërkesës së KESCO-s për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Protestuesit janë mbledhur fillimisht para ndërtesës së KEDS-it, për të marshuar më pas drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Gjatë protestës janë shfaqur pankarta me mesazhe si: “Nuk e durojmë ma hajninë”, “Nuk sakrifikojmë na për KEDS-in”, “Stop hajnisë me fatura t’rrymës” dhe “Rryma rritet, populli digjet”.

Teksa protestuesit qëndronin para ndërtesës së KEDS-it, është hedhur tym i kuq, ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar një person të moshuar që po merrte pjesë në protestë.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata “Përpjekja” e kanë cilësuar kërkesën e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë për 21.3 për qind si proces të padrejtë dhe të dëmshëm për qytetarët e Kosovës.

Kërkesa për rritje të tarifave është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) nga KESCO, KOSTT dhe KEDS.

ZRRE-ja bën çdo vit shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike, të cilat hyjnë në fuqi më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues. Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind.

Aktualisht, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat-orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat-orë.

Exit mobile version