Dhjetëra qytetarë janë mbledhur sot para stacionit të policisë në Lipjan, në një protestë paqësore për të kërkuar drejtësi për vdekjen e Agon Zejnullahut, i cili humbi jetën gjatë arrestimit nga ana e policisë.
“Drejtësi për Agonin”, “Poshtë brutaliteti policor”, “Kush na mbron prej policisë”, janë brohoritjet e protestuesve të cilët filluan protestën nga objekti i komunës deri para stacionit të policorë.
Të pranishëm në protestë ishin edhe familjarët e të ndjerit, të cilët përmes pankartave dhe thirrjeve, kërkuan hetim të plotë dhe transparencë lidhur me rastin.
Albani, vëllai i Agon Zejnullahut tha se sot nuk janë mbledhur për urrejtje por për të kërkuar drejtësi.
Ai tha se drejtësia nuk është privilegj por e drejtë.
Zejnullahu kërkoi nga institucionet hetim të plotë, transparent dhe kërkoi përgjegjësi.
“Sot nuk jemi mbledhur për urrejtje. Sot jemi këtu për të kërkuar drejtësi. Sot jemi këtu për Agonin – një djalë, një jetë, një zë që nuk mund të heshtet. Jemi këtu sepse drejtësia nuk është privilegj, por e drejtë. Jemi këtu sepse dhimbja e familjes së Agonit është dhimbja jonë kolektive. Sepse heshtja vret për herë të dytë. Agoni nuk është vetëm një emër. Ai është simbol i një padrejtësie që nuk guxon të harrohet. Ai është kujtim që na bën të mos mbyllim sytë. Ai është dhimbje që kërkon të më vetën. Kërkojmë hetim të plotë dhe transparent. Kërkojmë përgjegjësi. Kërkojmë ligj e jo justifikime institucionale. Sepse drejtësia është mbi të gjitha. Ne protestojmë në mënyrë paqësore. Sepse fuqia jonë është morali ynë. Zëri ynë është arma jonë. E vërteta është mburoja jonë. Le të dëgjohet thirrja jonë nga çdo institucion, nga çdo zyrë, nga çdo ndërgjegje”, tha Zejnullahu.
S’po muj ma”, “Mundesh me paragjyku, ama frymën nuk bën me ia ndal askujt”, “Unë s’kërkoj më jetë, kërkoj vetëm të mos më harrojë drejtësia”, “Mos harroni drejtësia është themeli i lirisë”, “Nuk kërkoj hakmarrje kërkoj drejtësi”, janë disa nga mbishkrimet e pankartave që mbanin protestuesit në duar.
Agon Zejnullahu ndërroi jetë më 7 korrik 2025, rreth orës në Lipjan, gjatë arrestimit nga policia.
Ndërkaq, më 9 korrik, pesë zyrtarëve policor të përfshirë në këtë rast u është caktuar nga Gjykata Themelore masa e paraburgimit prej një muaji.
Një ditë pas rastit, ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila tha se të gjitha rrethanat e këtij rasti duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe profesionale dhe secili zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin apo tejkaluar kompetencat duhet të vihet përpara drejtësisë pa asnjë vonesë.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti lidhur me këtë rast ka deklaruar se nuk do të ketë strehë në institucione për këdo që ka tejkaluar kompetencat apo ka shkelur ligjin gjatë ushtrimit të pozitës zyrtare.
Për vdekjen e 27 vjeçarit, Agon Zejnullahu ka folur edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili ka thënë se nuk do të tolerojnë që në çfarëdo forme eventuale të ketë tejkalime të autorizimeve policore. Ai kërkoi nga Inspektorati policor i Kosovës dhe institucionet e tjera relevante të përdorin të gjitha burimet e nevojshme për të hetuar rrethanat e vdekjes së Zejnullahut.