UBT News

Protestat për drejtësi për Arlinda Zekajn vazhdojnë edhe sot në Prishtinë

Protestat kundër femicidit dhe për drejtësi për Arlinda Zekajn do të vazhdojnë edhe sot në Prishtinë, ku është paralajmëruar një protestë kombëtare me kërkesa për llogaridhënie institucionale dhe mbrojtje më të madhe për gratë.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta do të mbahet nga ora 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke ftuar qytetarët që t’i bashkohen thirrjes kundër dhunës ndaj grave.

Protesta e sotme vjen pas pesë ditësh radhazi të mobilizimit qytetar, gjatë të cilave protestuesit kanë kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale për vrasjen e saj.

Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Rasti ka nxitur reagime të shumta, veçanërisht pas raportimeve se ajo kishte kërkuar më herët mbrojtje nga institucionet për shkak të dhunës dhe kërcënimeve.

Vrasja e saj ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë e grave, trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe përgjegjësinë institucionale në parandalimin e femicidit.

Përmes protestës së sotme, organizatorët synojnë të vazhdojnë mobilizimin kundër dhunës ndaj grave dhe të kërkojnë drejtësi për viktimat.

/A.K/

Exit mobile version