Protestat kundër qeverisë së Shqipërisë, të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, kanë hyrë në ditën e 16-të radhazi në Tiranë, me qindra qytetarë që po vazhdojnë të mblidhen në kryeqytet.
Protestuesit kërkojnë transparencë institucionale dhe kundërshtojnë projektet turistike në zonat e mbrojtura të Sazanit dhe Zvërnecit, duke i cilësuar ato si të dëmshme për mjedisin dhe të paqarta në procedurat e miratimit.
Tubimet kanë nisur në Sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me marshime drejt Kryeministrisë dhe rrugëve kryesore të qytetit. Gjatë protestës, qytetarë të ndryshëm kanë mbajtur fjalime, duke përsëritur kërkesat e tyre dhe kritikat ndaj qeverisë.
Sipas raportimeve, protesta ka vijuar edhe pas incidentit të një nate më parë, kur marshimi drejt Aeroportit të Rinasit u ndalua nga policia disa kilometra larg tij.
Kryeministri Edi Rama, përmes një reagimi në rrjetin “X”, ka deklaruar se përfituesit kryesorë të protestës janë vetë qeveria dhe Partia Socialiste, duke shtuar se do të merren mësime nga shqetësimet e qytetarëve.
Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar duke përshëndetur protestuesit dhe duke i cilësuar zhvillimet si “çlirim nga diktatura”, ndërsa ka akuzuar qeverinë për dëme të mëdha sociale dhe demografike në vend.
Protestat kanë nisur fillimisht si reagim ndaj projekteve turistike në Sazan dhe Zvërnec, por më pas janë zgjeruar në kërkesa më të gjera për llogaridhënie dhe kundërshtim të politikave qeveritare. Çështja është pasqyruar edhe në media ndërkombëtare, ndërsa organizata mjedisore kanë shprehur shqetësime për ndikimin në zonat e mbrojtura.
Burimi: KOHA
/A.K/
