Fjalët kanë fuqi. Ato formojnë besimet tona, drejtojnë sjelljen tonë dhe në fund krijojnë botën tonë.
Gjatë muajve të fundit në Iran, tri fjalë të thjeshta janë bërë jashtëzakonisht të rëndësishme: ‘Grua, jetë, liri’.
Duke u përhapur në të gjithë vendin dhe në komunitetet iraniane në mbarë botën, ato janë thirrja e protestave antiqeveritare që shpërthyen në shtator, pas vdekjes së Mahsa (Jina) Aminit, një gruaje të re kurde.
Por cila është origjina e frazës ‘grua, jetë, liri’? Si u përhap në Iran? Dhe pse është kaq e rëndësishme për protestuesit?
“Nga Turqia, në Siri, në Iran”
Fraza ka një histori të gjatë në mesin e kurdëve në Lindjen e Mesme. Kjo frazë mund të gjurmohet te gratë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare Kurde në Turqi dhe në shkrimet e Abdullah Öcalan, themeluesit të PKK-së (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit).
Kurdët janë një grup etnik prej 30 milionë banorësh, të shpërndarë në Turqi, Irak, Siri dhe Iran, të cilët ndajnë një kulturë dhe gjuhë të ngjashme. Ata janë një nga popujt më të mëdhenj pa shtetësi në botë dhe kanë bërë një luftë shekullore për njohje dhe pavarësi më të madhe, veçanërisht në Turqi.
“[Gratë, jeta, liria] reflektohen shumë në filozofinë politike të Öcalanit”, thotë për Euronews, Meghan Bodette, Drejtore e Kërkimeve në Organizatën Kurde të Paqes.
“Ai shkroi se për ta çliruar shoqërinë nga shfrytëzimi ekonomik [ose] popullin kurd nga shtypja kombëtare… forma e parë e shtypjes që duhet të trajtohet është ajo e grave pasi ajo çon në të gjitha hierarkitë e tjera”.
“Ideja se liria e gruas është thelbësore për lirinë e të gjithë shoqërisë – kjo është ajo që përfshihet në këtë slogan”, shtoi ajo.
Mjaft domethënëse ishte kjo frazë edhe për lëvizjen kurde në Turqi, meqë u përdor në protestat dhe takimet e grave kurde që në vitin 2003. Megjithatë, ajo nuk u përhap gjerësisht derisa shpërtheu Lufta Civile siriane në vitin 2011.
Ndërkohë që Siria shpërbëhej në enklavat e saj të ndryshme rajonale dhe etnike, gratë kurde në YPJ, një milici e përbërë vetëm me femra, e zbatuan këtë frazë duke e luftuar Shtetin Islamik dhe duke ndihmuar në krijimin e një shteti autonom në Sirinë veriore, i cili miratoi ligje progresive për të drejtat dhe statusin e grave.
“Kjo përpjekje e pushtoi imagjinatën e kurdëve në të gjithë Lindjen e Mesme, veçanërisht të grave në Kurdistanin iranian”, tha Dr. Marouf Cabi, anëtar në London School of Economics’s Middle East Centre.
“Njerëzit i përcollën lajmet, i kushtuan vëmendje, u identifikuan me luftën kundër ISIS-it dhe atë që po ndodhte në Rojava”, tha ai për Euronews. “Kjo është koha kur fraza e lartëcekur hyri për herë të parë në ndërgjegjen e njerëzve”.
Si u përhap në Iran fraza ‘grua, jetë, liri’?
Të rikthehemi prapa në datën 17 shtator të vitit 2022. Gjatë ceremonisë së varrimit të Mahsa Aminit, e cila vdiq në paraburgim pasi u arrestua nga policia iraniane e moralit, gratë kurde hoqën shamitë edhe pse me ligj është e paraparë t’i mbajnë dhe filluan të brohorisnin ‘grua, jetë, liri’.
“Gratë kurde që protestojnë për këtë vrasje mund ta kenë parë atë që ndodhi [me Aminin] si një shembull të dhunës patriarkale dhe shtetërore me të cilën si kurdë – dhe si gra – përballen çdo ditë”, tha Bodette.
Familja e Aminit dhe aktivistët thonë se ajo u vra nga policët, të cilët e goditën dhunshëm disa herë në kokë, megjithëse autoritetet iraniane pretendojnë se 22-vjeçarja vdiq si pasojë e një sulmi në zemër.
Ajo u arrestua pasi dyshohet se nuk e mbante shaminë e saj siç duhet dhe kishte veshur xhinse të ngushta.
Fraza ‘Grua, jetë, liri’ u përhap shpejt në të gjithë Iranin ndërkohë që protestat për vdekjen e Aminit përfshinë të gjithë vendin.
Sipas Bodette-s, kjo frazë u bë kaq e popullarizuar sepse rezonon pikërisht me atë që njerëzit në Iran po luftojnë.
“Fraza përfaqëson gjithçka kundër së cilave është shteti iranian”, tha ajo.
Lufta për barazi gjinore dhe të drejtat e grave dhe pakicave etnike në Iran filluan pothuajse menjëherë pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Pavarësisht se premtoi se nuk do të ndodhte, qeveria e re iraniane menjëherë filloi zbatimin e ligjeve të rrepta islame dhe kodeve të veshjes mbi popullatën, duke e bërë të detyrueshme për gratë që të mbajnë shami në vitin 1983.
Ndërkohë, përpjekjet e popullsisë kurde të vendit për pavarësinë e tyre u shtypën brutalisht në vitet pas revolucionit, duke çuar në të paktën 10 mijë të vdekur dhe 200 mijë njerëz të zhvendosur.
“Fraza [‘grua, jetë, liri’] përmbledh një luftë kundër të gjitha llojeve të ekstremistëve fetarë dhe shteteve autoritare si në Iran ashtu edhe në rajon”, deklaroi Bodette.
“U shndërrua në frazë tërheqëse”
Ka shqetësime rreth mënyrës se si po përdoret fraza, të cilat nxjerrin në pah çështjet historike që ndikojnë në popullsinë kurde në Iran dhe Lindjen e Mesme.
“Ka pasur kritika nga shumë kurdë, veçanërisht nga shumë gra kurde, se slogani ndonjëherë është ndarë nga rrënjët e tij kurde”, thotë Bodette, veçanërisht kur përdoret nga media ndërkombëtare, të famshëm, marka dhe politikanë.
Për shembull, fjalët shkruhen herë pas here vetëm në persisht ose anglisht, jo në gjuhën kurde.
Ndonëse Bodette vlerëson se shumë kurdë janë të lumtur që kjo frazë po u miratohet nga protestuesit, duke e marrë si aspekt pozitiv se të tjerët po përqafojnë idetë e tyre, ajo thotë se kjo ndarje mund të “fshijë” “historinë radikale të rezistencës ndaj shtypjes” nga kurdët kudo që qëndron prapa saj.
“Kjo histori është vërtet e rëndësishme për të treguar fuqinë e vërtetë të këtyre fjalëve, se lëvizjet e udhëhequra nga gratë mund të bashkojnë shoqërinë kundër qeverive shtypëse, fondamentalizmit fetar dhe ultra-nacionalizmit”, tha ajo për Euronews.
“Gratë kurde besojnë se lëvizja e tyre është një lëvizje universale për lirinë e grave kudo”.
“Edhe nëse qeveria iraniane nuk rrëzohet nesër, protestat kanë dëshmuar tashmë se fraza “grua jetë, liri” është një frazë shumë e fuqishme”, deklaroi ajo.
“Nuk do të zbehet së shpejti”, përfundoi Bodette./UBTNews/