Protesta para Kuvendit të Kosovës po vazhdon edhe pas miratimit në lexim të parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë në hapësirat përreth Kuvendit, ndërsa gjatë protestës janë hedhur mjete piroteknike në drejtim të objektit. Si pasojë, është thyer edhe një dritare e Kuvendit.
Situata është tensionuar edhe më tej me ardhjen e ministres në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila është pritur me thirrje nga protestuesit, ndërsa gjatë hyrjes së saj në Kuvend janë hedhur mjete piroteknike në drejtim të saj.
Gjatë protestës ka pasur edhe përplasje fizike me antarin e VV Sami Kurteshi. Sipas raportimeve, Kurteshi është përplasur me disa protestues, pas një konflikti në mesin e turmës.
Sulm fizik është raportuar edhe ndaj gazetarit Jeton Sopa, i cili po raportonte nga protesta.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është miratuar në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës.
Megjithatë, miratimi në lexim të parë nuk e përfundon procesin parlamentar. Protestuesit po kërkojnë që ndryshimet ligjore të kalojnë edhe në leximin e dytë, në mënyrë që procedura të përfundojë./A.K/
