Vala e protestave në kryeqytet do të vijojë edhe gjatë mbrëmjes së sotme. Organizatori Çlirim Haziri u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen tubimit të radhës, i cili është caktuar të mbahet në orën 21:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Përmes një njoftimi publik, Haziri ka kërkuar bashkim dhe pjesëmarrje sa më të madhe, duke nëvizuar se kauza kapërcen çdo ndasi politike apo shoqërore. Ky tubim synon të fuqizojë zërin qytetar në mbrojtje të UÇK-së, sakrificës dhe lirisë.
Thirrja e tij i mëshon fort bashkimit kombëtar me mesazhin se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet fuqishëm, ndërsa protesta e sotme do të shoqërohet sërish me moton kryesore “JO NË EMRIN TIM!”.
