Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës njoftoi sot se për shkak të zhvillimit të një proteste të opozitës që do të mbahet në orën 11:00 përpara bashkisë së Tiranës, do të ketë bllokime të përkohshme të disa segmenteve rrugore në qendër të kryeqytetit.
Sipas njoftimit të policisë, bllokimet do të prekin kryesisht bulevardin që kalon përpara bashkisë, si dhe disa segmente të tjera rrugore përreth, në varësi të lëvizjes dhe vendndodhjes së protestuesve. Kjo do të ndodhi prej orës 11:00 deri në përfundimin e protestës.
Policia u bën thirrje qytetarëve që të shmangin këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative për të evituar ndonjë shqetësim. Rrugët alternative të rekomanduara përfshijnë Unazën e Mesme dhe Unazën e Madhe.
Autoritetet po monitorojnë situatën dhe do të japin informacione të përditësuara për të siguruar një qarkullim sa më të lehtë dhe të sigurt gjatë kohës së protestës./UBTNews/