Për shkak të mos procedimit të pagave për punëtorët e arsimit në Viti, kryetarët dhe kryesitë e shoqatave sindikale nga shkollat e kësaj komune kanë protestuar të premten para Qeverisë së Kosovës.
“Edhe Vitia është n‘Kosovë”, “Duam pagat tona”, kanë qenë thirrjet e mbishkrimet në pankartat e protestuesve, të cilët kanë kërkuar që pagat të ekzekutohen sot (e premte), ose më së largu të hënën, në të kundërtën kjo komunë do të fillojë me veprime sindikale nga java e ardhshme.
Kryetari nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), Rrahamn Jasharaj ka thënë se mësimdhënësit janë të pafajshëm në këtë drejtim, ndërsa i ka bërë thirrje Qeverisë të fillojë me ekzekutimin e pagave.
Jasharaj ka theksuar se nga ajo që ka parë në takim nga kryetarët e shoqatave, ata janë shumë të revoltuar dhe java e ardhshme mund ta gjejë Vitinë në grevë.
“Ne kishim një takim këtë javë me Kuvendin e Sindikatave të Arsimit Para universitar të Vitisë dhe mësimdhënësit arsyeshëm ishin të indinjuar dhe kërkonin hapa radikal, sindikal. I lutem që të presin pak dhe të shkojnë me veprimin e parë me alarmin e tashëm, më këtë protestë, por nga ajo që kam parë në takim nga kryetarët e shoqatave, ata janë shumë të revoltuar dhe java e ardhshme mund ta gjejë Vitinë në grevë. Dhe ajo që e bëjmë gjithmonë, solidaritetin, kam frikë se nëse ndodh greva në Viti, atëherë veprime sindikale do të ketë edhe në komuna tjera, cilat do jenë ato, vendos secila komunë, por Vitia, koleget tanë e dinë, por edhe Qeveria ta dijë se punëtorët e arsimit në Viti e kanë zërin e tyre që i mbron, SBAShK-u. Dje i kam dërguar një letër Muratit, duke e lutur që pozitën që e ka si ministër i Financave t’i le deklaratat se kush ka faj, mësimdhënësit nuk kanë faj. Që sot Qeveria le të procedojë pagat në të kundërtën do të fillohet me Vitinë”, tha ai.
Ndërsa, Kemail Bislimi, kryetar i nivelit komunal të sindikatës së arsimit në Viti ka thënë se kanë protestuar edhe në Komunën e Vitisë, mirëpo sipas tyre, faji qëndron tek Qeveria.
Ai ka thënë vetëm mësimit fillor dhe të mesëm nuk janë ndarë mjetet, duke shtuar se aty janë 775 punëtorë.
“Ne kemi protestuar edhe në Komunën e Vitisë atje, dhe na kanë thënë se faji qëndron tek Qeveria, kemi ardhë t’i drejtohemi edhe qeverisë në qoftë se na pret dikush këtu, qëllimi është një, pagat vetëm Komunës së Vitisë nuk janë dalë… Ne kemi caktuar protestën një orë, dhe presim që të del dikush të na drejtohet… Komuna e Vitisë ka 812 punëtorë, çerdheve ju kanë ndarë mjetet, ndërsa vetëm mësimit fillor dhe të mesëm nuk u janë ndarë, aty janë 775 punëtorë…. Mësimdhënësit kanë edhe ditën e hënë që të presin, ndërsa prej të martës do të shikojmë se cilët do të jenë hapat tjerë, sigurisht sindikal, një orëshe, ditëshe…Ne nuk po lypim faj, pagat tona dhe asgjë tjetër”, tha ai.
Në anën tjetër, pjesëmarrës në këtë protestë ishte edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, i cili ka bërë thirrje qeverisë të bëjë ekzekutimin e pagave të mësimdhënësve të Komunës së Vitisë.
“Edhe BSPK-ja është shumë e shqetësuar se çfarë ka ardhë deri këtu që pagat e mësimdhënëseve të mos ekzekutohen. Është diçka interesante se si edhe partneri social Qeveria, por edhe partneri social që është në Viti atje, nuk ulen, nuk dakordohen që të zgjedhin problemet, dhe sot të vendosin që pagat e mësimdhënësve të dalin në kontot e tyre. Kërkoj nga partneri social të ulet tani dhe të bëjë ekzekutimin e pagave të mësimdhënësve të Komunës së Vitisë”,tha Hykolli.
Ndërkaq, Ministria e Financave ka njoftuar se kjo komunë nuk ka siguruar buxhetin e nevojshëm, dhe se pagat janë ekzekutuar vetëm për një pjesë të punonjësve të komunës. Në njoftim thuhet se, përkundër që buxheti për paga ndahet asisoj që të mbulojë shpenzimin për tërë vitin, si pasojë e rasteve përmbarimore, disa komuna kanë filluar të kenë mungesë buxheti në kategorinë e pagave qysh tani. Ndërkaq, kanë shtuar se Komuna e vetme që nuk e ka bërë këtë rregullim është Vitia, e cila ka lënë programet e arsimit fillor dhe të mesëm pa buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të pagave të shtatorit.