UBT News

Protesta e komunave kundër Qeverisë: Alarm për falimentim financiar nga faturat e nivelit qendror

Nivel lokal dhe ai qendror në Kosovë po përballen me një përplasje të ashprë financiare dhe politike. Kryetarët e komunave të Kosovës kanë dalë në një protestë të përbashkët për të kundërshtuar politikat e buxhetit të ndjekura nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, duke e akuzuar atë për cenim të sovranitetit financiar të pushtetit lokal dhe diskriminim politik, meqë në këtë organizim nuk morën pjesë disa nga kryetarët që vijnë nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Në qendër të kësaj pakënaqësie stacionohet barra e papërballueshme financiare që po u ngarkohet komunave nga marrëveshjet e nënshkruara në nivelin qendror, sidomos sa i përket Kontratave Kolektive dhe shtesave për përvojën e punës. Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, deklaroi se nga viti 2022 deri në vitin 2026 pushtetit lokal i janë marrë ose bllokuar qindra miliona euro për të mbuluar këto fatura. Sipas tij, kjo qasje po dëmton drejtpërdrejt qytetarët, pasi mjetet e reduktuara po pamundësojnë investimet kryesore në infrastrukturë — si ndërtimin e shkollave, çerdheve, rrjeteve të kanalizimit e qendrave sportive — si dhe mbështetjen financiare për fermerët dhe familjet në nevojë.

Për t’i dhënë zgjidhje kësaj krize, kryetarët e komunave po kërkojnë me ngulm rimbursimin e plotë të mjeteve të marra gjatë viteve të fundit dhe marrjen e përgjegjësisë financiare nga buxheti qendror për çdo vendim apo ligj të miratuar në Prishtinë, përfshirë mbulimin e normës prej 0.5 për qind për përvojën e punës sipas Ligjit për Paga. Komunat paralajmërojnë se vazhdimi i kësaj praktike pa asnjë konsultim apo buxhet shtesë po i çon ato drejt një falimentimi të sigurt dhe drejt mbylljes së dyerve për shërbimet bazë ndaj qytetarëve. /E.A/

 

Exit mobile version