UBT News

Promovohet në Bruksel vepra pesëvëllimëshe për Ydriz Bashën e Novosejt

Në Bruksel është prezantuar vepra pesëvëllimëshe “Kujtesa e Kosovës: Ydriz Basha i Novosejt”, një projekt trevjeçar i realizuar nga Fondacioni Ydriz Basha në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Botimi përmbledh materiale të përzgjedhura nga një arkiv i pasur digjital me mbi 20 mijë njësi, të dhuruara nga familja Basha në vitin 2018, duke dokumentuar veprimtarinë e Ydriz Bashës në mbështetje të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Ngjarja u mbajt në ambientet e Bibliotekës Mbretërore të Belgjikës, në praninë e përfaqësuesve diplomatikë, pjesëtarëve të diasporës shqiptare, institucioneve kulturore belge dhe kryetarit të Bashkisë së Brukselit, Philippe Close.

Ky botim është pjesë e projektit “Kujtesa e Kosovës”, i nisur në vitin 2022, që synon të dokumentojë historinë e patreguar të vendit përmes dëshmive dhe përjetimeve të atyre që kanë kaluar periudha të shtypjes dhe padrejtësive. Bashkëpunimi shënon herën e parë që Biblioteka Kombëtare e Kosovës i kushton vëmendje të veçantë kontributit të diasporës politike, duke vlerësuar rolin e komunitetit shqiptar në Evropë gjatë viteve të rezistencës.

Kimete Mitrovica, një nga themelueset e fondacionit, theksoi se puna do të vazhdojë me mbledhjen dhe digjitalizimin e historive të diasporës shqiptare, me synimin për t’i përfshirë ato më fuqishëm në kujtesën kulturore shqiptare dhe evropiane.

Në këtë aktivitet folën edhe ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, si dhe drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, e cila ftoi komunitetin shqiptar në mërgim të kontribuojë me materiale arkivore për ruajtjen e kujtesës historike dhe politike.

Exit mobile version