Historia e UBT-së për këto 20 vite nuk kishte se si të dokumentohet ndryshe përpos një libri i cili përmbledh gjithë të kaluarën, sfidat dhe rrugëtimin nëpër të cilin ka ecur UBT si institucion akademik.
Për këtë, UBT ka promovuar para shumë personaliteteve në ceremoninë qendrore të fund vitit librin kushtuar 20-vjetorit të themelimit të institucionit të arsimit të lartë – UBT, libër ky i punuar me shumë përkushtim mbi detajet e arritjeve dhe rrugëtimit të institucionit nga viti 2001 e deri më sot.
Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi tha se përmes këtij libri janë vënë në pah aktivitetet më kryesore të institucionit, e që kanë qenë përcaktuese në periudha të ndryshme kohore në zhvillimin e institucionit.
“Ky libër i sapo dalë nga shtypi përfshin aktivitete nga puna e përditshme e një institucioni që filloi nga zero dhe sot ka një rol kyç në arsimin e lartë, teknologjinë dhe inovacionin në vendin tonë dhe rajon. Gjatë shfletimit të tij do të shihni një rrugëtim interesant dhe me sfida përmes fotografive, fakteve dhe shifrave të cilat vijnë nga periudha të ndryshme kohore, e që ishin kyçe për zhvillimin tonë”, ka thënë rektori Hajrizi.
Profesori i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, e i cili ka punuar në këtë libër, Safet Zejnullahu, ka shpalosur përmbajtjen e librit, shifra kryesore rreth tij, si dhe aktivitetet që janë përfshirë në të.
“Te ky libër i gjejmë aktivitetet e para të UBT-së, disa mjeshtër që po murosin një mur dhe disa tjerë që po vendosin një kornizë për diçka, janë fillimet e institucionit dhe ju do të mendoni se ishte e lehtë, ju do të mendoni se edhe ligjëratat dhe ushtrimet që nisën në atë kohë ishin të thjeshta. Këtu është një histori, ndoshta sot do të themi e parëndësishme sepse i kemi të gjitha në një ueb faqe, mirëpo pas 50 viteve kjo do të jetë historia e institucionit më të përparuar dhe më të madh privat të arsimit të lartë në Kosovë”, ka thënë profesori Zejnullahu.
Libri që përfshin 20 vite aktivitete të UBT-së përmban në tërësi 961 faqe, 646 lajme, si dhe 496 fotografi dhe ilustrime, të cilat konkretizojnë punën dhe aktivitetet kryesore të njërit prej institucioneve më të mëdha akademike në vend dhe rajon.