Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet S.S., i cili akuzohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri S.S., më 6 prill 1999 në fshatin Reznik të Vushtrrisë, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, mori pjesë në vrasjen e nëntë civilëve shqiptarë. Në këtë ngjarje përfshihet edhe S.T., i cili tashmë është i dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria Speciale bën me dije se dërgimi i lëndës në gjykatë është hap i rëndësishëm drejt drejtësisë: “Sjellja e përgjegjësve para drejtësisë mbetet prioritet yni kryesor për të vendosur të vërtetën dhe për të sjellë lehtësim për familjarët e viktimave.”
Rasti tanimë i është kaluar Organeve të Drejtësisë për shqyrtim të mëtejshëm gjyqësor. /E.A/
