Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se ka nisur zyrtarisht grumbullimin e informatave lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të kompanisë KEDS.
Sipas organit të akuzës, ekziston një dyshim i bazuar se këto pajisje nuk po bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar nga konsumatorët.
Në këtë drejtim, Prokuroria dyshon se është kryer vepra penale “Mashtrimi”, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për të zbardhur rastin, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim sigurimin dhe grumbullimin e provave shtesë.
“Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sigurimit dhe grumbullimit të provave shtesë lidhur me këtë rast, përfshirë edhe veprimet ndaj zyrtarëve të KEDS-it”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Hetimet vijnë pas shqetësimeve se njehsorët nuk pasqyrojnë realisht shpenzimet, duke dëmtuar kështu qytetarët. Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave ligjore për të garantuar zbatimin e ligjit.
“Lidhur me rastin e parregullsive të dyshuara në njehësorët elektrikë të KEDS-it, ekziston dyshimi se këta njehësorë nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar… Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave ligjore, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik”, përfundon njoftimi i Prokurorisë.
