UBT News

Prokuroria kërkon një muaj paraburgim për Jeton Sylajn: Ekziston rreziku i ikjes drejt SHBA-së

Ish-bashkëshorti i të ndjerës Arlinda Zekaj, Jeton Sylaj, ka dalë të martën para Gjykatës Themelore në Pejë, ku po shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës prej një muaj paraburgim ndaj tij. Ai dyshohet për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”, pasi nuk iu bind urdhrit mbrojtës të nxjerrë nga gjykata më 16 tetor 2026.

Prokuroria Themelore në Pejë argumenton se caktimi i paraburgimit është i nevojshëm për shkak të rrezikut konkret të arratisjes. Sipas kërkesës zyrtare, Sylaj me shtetësi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jeton atje, rrethanë kjo e vërtetuar edhe nga deklarata e tij e dhënë në prokurori gjatë muajit korrik.

Sipas dosjes së prokurorisë, më 25 tetor rreth orës 17:58 në fshatin Vitomiricë, i pandehuri ushtroi sërish dhunë psikologjike ndaj të ndjerës përmes fjalëve kërcënuese, si dhe i mori rrobat nga rrobalarësja duke ia hedhur në oborr. Denoncimi i këtij incidenti nga viktima u bë pak orë para se ajo të vritet tragjikisht në shtëpinë e saj.

I dyshuari kryesor për aktin e vrasjes mbetet kunati i viktimës, Albert Sylaj, i cili gjendet ende në arrati dhe po kërkohet nga policia. Ndaj Jeton Sylajt, Prokuroria në Pejë kishte ngritur aktakuzë për veprën penale të kanosjes vetëm dy ditë para se të ndodhte krimi.  /E.A/

 

Exit mobile version