Gjykata ka njoftuar se vendimi përfundimtar ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt do të shpallet zyrtarisht më 21 prill. Ky njoftim erdhi pas fjalës përfundimtare të prokurores Javorka Perlinçeviq, e cila kërkoi që Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla të dënohen me burgim të përjetshëm.
Sipas prokurorisë, shqyrtimi gjyqësor ka vërtetuar se Murseli ishte arkitekti i planit për eliminimin e bashkëshortes së tij, duke u shtyrë nga raportet e tensionuara martesore dhe synimi për të përfituar financiarisht. Prokurorja theksoi se provat e administruara faktojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të të tre të akuzuarve në ekzekutimin e vrasjes, e cila tronditi opinionin publik.
Prokuroria kërkon dënim maksimal: Burgim i përjetshëm për vrasësit e Liridona Ademajt
Në seancën e sotme ku u dhanë fjalët përfundimtare, prokurorja Javorka Perlinçeviq ka kërkuar zyrtarisht dënimin me burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën.
Sipas prokurorisë, provat e administruara gjatë gjykimit vërtetojnë se të pandehurit kanë bashkëpunuar për ekzekutimin e vrasjes, e cila ndodhi në prani të dy fëmijëve të mitur të viktimës.
Prokurorja theksoi se motivi kryesor i këtij krimi ishte përfitimi financiar nga polica e sigurimit jetësor të Liridonës, të cilën Murseli e kishte paguar vetëm pak kohë para se të niste organizimin e vrasjes përmes Kushtrim Kokallës.
Gjatë procesit u bë e ditur se raportet mes bashkëshortëve ishin të prishura dhe se viktima kishte refuzuar shkurorëzimin, gjë që sipas prokurorisë, e shtyu Murselin drejt planit për hakmarrje.
Si dëshmi kyçe janë përmendur analizat e telefonave dhe komunikimet mes të akuzuarve. Një mesazh i dërguar nga Naim Murseli drejt Granit Plavës një ditë para krimit, ku thuhej se “kjo përfundon nesër”, vërteton marrëveshjen paraprake për vrasjen kundrejt premtimit për pagesën prej 30 mijë eurosh.
Edhe pse Murseli ishte deklaruar i pafajshëm në fillim të procesit, Prokuroria vlerëson se i gjithë plani, që nga sigurimi i armës e deri te koordinimi i vrasësit, është argumentuar plotësisht gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor.
