UBT News

Prokuroria jep detaje për vrasjen e 14-vjeçarit në Prizren, i dyshuari dërgohet në mbajtje

Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje zyrtare lidhur me ngjarjen e ndodhur më 27 gusht 2026, rreth orës 23:41, ku ka humbur jetën një 14-vjeçar.

Sipas njoftimit zyrtar nga Departamenti për të Mitur, njësitet e Policisë, hetuesit, krim-teknika dhe Mjekësia Ligjore kanë dalë menjëherë në vendngjarje për ekzaminime dhe marrjen e provave materiale.

“Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i mituri 17 vjeçar, dyshohet se ka privuar nga jeta të miturin 14 vjeçar, duke therur me thikë, i cili është hasur në vendin e ngjarjes dhe nga i njëjti është sekuestruar një thikë e cila dyshohet se është përdorur për ta kryer veprën penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Trupi i viktimës është dërguar për obduksion në IML, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 24 orësh.

“Me vendim të prokurorit të shtetit, i mituri 17 vjeçar, është ndaluar për 24 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale ‘Vrasja e rëndë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Brenda afatit ligjor, Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës për sigurimin e të miturit në procedurë”, njofton organit i ndjekjes.

Prokuroria Themelore në Prizren bëri të ditur se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës po vazhdojnë hetimet intensive për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje. /E.A/

 

Exit mobile version