UBT News

Prokuroria e Pejës udhëheq takimin ndërinstitucional për dhunën në familje

Ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, ka udhëhequr një takim ndërinstitucional me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje, me qëllim të avancimit të mbrojtjes së viktimave dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Në takim morën pjesë prokurorët e shtetit, përfshirë koordinatorin e ri për rastet e dhunës në familje, Ermal Demhasaj, prokurorët për të mitur, mbrojtësit e viktimave, si dhe përfaqësues të Policisë së Kosovës, Qendrave për Punë Sociale dhe Qendrës së Shëndetit Mendor në Pejë.

U.D. e Kryeprokurores, Disha-Haxhosaj, theksoi rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe përgjegjësisë së qartë institucionale në secilën fazë të trajtimit të rasteve.

“Nuk duhet të kemi frikë të flasim për atë që nuk funksionon. Duhet të kemi përgjegjësi që ta ndryshojmë atë që nuk funksionon. Viktimat nuk kanë nevojë për premtime. Kanë nevojë për mbrojtje. Nuk kanë nevojë për arsyetime. Kanë nevojë për veprime. Dhe nuk kanë nevojë që institucionet të reagojnë vetëm pasi të ndodhë tragjedia. Kanë nevojë që ne të veprojmë para se të jetë tepër vonë”, deklaroi Disha-Haxhosaj.

Ajo kërkoi përqendrim të veçantë në identifikimin e hershëm të rasteve me rrezik të lartë dhe përshkallëzim të mundshëm të dhunës.

Përgjatë takimit u dakordua caktimi i personave kontaktues për komunikim të drejtpërdrejtë, krijimi i mekanizmave për monitorimin e rekomandimeve, si dhe përgatitja e raporteve mbi sfidat specifike, me fokus te rastet që përfshijnë viktimat e mitura dhe personat me probleme të shëndetit mendor. /E.A/

Exit mobile version