Prokurorët federalë duan që këngëtari R&B i dënuar për abuzim seksual, R. Kelly, të qëndrojë në burg për më shumë se 25 vjet, sipas një dosjeje ligjore të së enjtes.
Kelly, i cili është planifikuar të dënohet më 29 qershor, u shpall fajtor shtatorin e kaluar për abuzim seksual të grave, djemve dhe vajzave për dekada. Ai u dënua për të nëntë akuzat kundër tij në gjyqin për trafikim seksual.
“Qeveria me respekt parashtron të garantohet një dënim mbi 25 vjet”, i shkroi Zyra e Prokurorit të SHBA-së për Distriktin Lindor të Nju Jorkut gjyqtarit për rastin.
Zyra e kritikoi këngëtarin se “u mbështet në famën, paratë dhe popullaritetin e tij si një yll R&B… për të kryer dhe fshehur krimet e tij”, pasi ai mori ndihmë të jashtëzakonshme nga rrjeti i madh i bashkëpunëtorëve.
“Ai vazhdoi krimet e tij dhe iu shmang dënimit për gati 30 vjet dhe tani duhet të mbahet përgjegjës”.
Federalët vunë në dukje se nëse e përmbushin dëshirën e tyre, Kelly do të ishte në të 70-at kur të lirohej nga burgu.
Gjatë gjyqit, qeveria thirri 45 dëshmitarë për të detajuar tmerret që Kelly, emri i plotë i të cilit është Robert Kelly, iu bëri viktimave të tij.
Prokurorët gjithashtu treguan se këngëtari nuk ka treguar “asnjë pendim për asnjë nga sjelljet e tij”.
Kelly përballet me më shumë akuza penale jashtë Nju Jorkut. Prokurorët e Minesotës e akuzuan atë për përfshirje në prostitucion me një të mitur dhe prokurorët federalë në Illinois e akuzuan atë për pornografi me fëmijë./UBTNews/