Mbi 80 milionë euro është vlera totale e projektit të ngrohtores solare në Prishtinë, ku mendohet se do të jetë projekti më i madh në rajon. Me këtë projekt do të rritet prodhimi i energjisë termike, ku do t’u mundësohet edhe rreth 38 mijë qytetarëve të kyçen në rrjetin e Termokos-it. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së nën-huazimit dhe nën-grantit në mes të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe ngrohtores së qytetit Termokos, u tha se ky është projekti më i madh i energjisë termike në Kosovë.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se nënshkrimi i tri marrëveshjeve me Termokosin, kanë të bëjnë me ndërtimin dhe funksionalizimin e projektit të ngrohtores diellore të kryeqytetit. Ai tha se ky projekt ka mbështetjen e shtetit gjerman, Bashkimit Evropian dhe BERZh-it.
“E kemi sjellë pjesën e grantit në 54 milionë euro në tërësi, ndërsa pjesa tjetër prej 23 milionë euro ka qenë kredi nga BERZh, e cila u ratifikua së fundmi. Në fund të vitit të kaluar, saktësisht para rreth një viti patëm nënshkruar marrëveshjet dhe kam kënaqësinë që më në fund kontrata e kredisë me BERZh-in u ratifikua dhe tani mund të nënshkruajmë marrëveshjet e nën-huazimit dhe nën-grantimit edhe me kompaninë Termokos. Ky projekt ka një rëndësi të veçantë pasi që përveç që e rrit prodhimin e energjisë termike që mundëson edhe rreth 38 mijë qytetarë të kyçen në rrjetin e Termokosit, gjithashtu mundëson edhe zgjerimin e rrjetit. Kësisoj siguron që çmimi për ngrohje të vazhdojë të jetë i volitshëm për qytetarët si dhe të kursehet edhe energjia elektrike… Është projekt në vlerë prej 80 milionë euro e ku përfituesit kryesor do të jenë qytetarët e komunës së Prishtinës”, deklaroi Murati.
Tutje Murati shtoi se ky projekt ka rëndësi edhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit, zvogëlimin e emetimit të dioksidit të karbonit si dhe kontribuon në tranzicionin për energji të gjelbër.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde deklaroi se Kosova përfiton nga kjo marrëveshje.
“Kryesisht është rritja e kapacitetit të ngrohjes që të mundësojë që një numër i caktuar i njerëzve që të kyçen në këtë rrjet. Duke pasur përvojën me krizë energjetike në Evropë dhe vetëdijesimi jonë për të siguruar furnizimin dhe duke parë që çështja e energjisë ka qenë më e vështirësuar dhe projektet në kohë vendimtare për Kosovën në tranzicionin e energjisë. Ngrohja solare duke e zvogëluar energjinë elektrike do të zvogëlojë edhe konsumin e saj, do të mundësojë shfrytëzimin më të mirë, ndikimin e zvogëluar ose varësisë nga qymyri. E treta, ngrohje solare do të jetë më e madhja në Ballkan dhe më e madhja në Evropë”, shtoi ai.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se projekti i ngrohjes solore nxit rritjen ekonomike dhe përkrah qëndrueshmërinë mjedisore.
“Impianti i ri diellor dhe zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore do të zvogëlojë dukshëm emetimin e dioksidit të karbonit të lidhura me ngrohjen, do të përmirësojë cilësinë e ajrit dhe do të integrojnë furnizimin me energji të rinovueshme në sistemin e ngrohjes qendrore për qytetin e Prishtinës. Sot nuk po nënshkruhen vetëm disa marrëveshje, por po nënshkruhet zotimi ynë që banorëve të Prishtinës të ju mundësojmë zgjidhje të besueshme, përballueshme dhe të qëndrueshme për ngrohjen e ambienteve të banimit dhe të punës”, deklaroi Rama.
Edhe kryeshefi i Termokos-it, Fisnik Osmani tha se përmes këtij projekti do të sigurohet ngrohje e qëndrueshme dhe e përballueshme.
“Si projekti më i madh në rajon ‘Solor for Kosovo’ do të mbulojë me panele solare një hapësirë prej 69 mijë metra katror, me kapacitet termik 50 megavat duke furnizuar 12 mijë konsumatorë me mbi 38 mijë banorë në Prishtinë. Përmes këtij projekti do të mundësohet integrimi i sistemeve të burimeve të ripërtërishme në zonat e reja të Prishtinës, i cili do të sigurojë ngrohje të qëndrueshme dhe të përballueshme për qytetin e Prishtinës. Dhe jo vetëm kaq, përmes këtij projekti ne po rrisim sigurinë energjetike dhe qëndrueshmërinë për Prishtinën duke kontribuar direkt në performancën financiare dhe operacionale të ngrohtores së qytetit e përmes kësaj në lehtësimin e jetës së qytetarëve në Prishtinë”, deklaroi ai.
E drejtori i BERZH-it në Kosovë Sergiy Maslichenko theksoi se ky projekt do të ketë përfitime ne Prishtinë, meqë siç tha ai, ndotja është e lartë.
“Përveç përfitimeve të agjendës së gjelbër, kjo do të sigurojë përfitime për njerëzit në Prishtinë. Sepse ndotja e ambientit fatkeqësisht është shumë e lartë sikurse e dëshmojë vitin e parë që jam këtu. Dhe ky projekt do të mundësojë që do të lidhen shumë njerëz, shumë ndërtesa do të lidhen në ngrohjen qendrore dhe do të shohim cilësinë e ajrit, duke përmirësuar me kohë dhe kjo është shumë me rëndësi. Përfitimi është shumë i qartë nga ky projekt”, u shpreh ai.
Edhe shefi i seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Johannes Madsen Stenbaek tha se 38 mijë qytetarë do të përfitojnë nga kjo ngrohje dhe se do të mundësohet zvogëlimi i ndotjes në kryeqytet.
“Projekti i parë solar të ngrohjes në Prishtinë, ky shënon dekarbonizimin që është kryesor që do të largohemi nga ngrohje që bazohet vetëm në qymyr. Me 22,1 milionë euro përmes bankës në partneritet me EBRD-në për ngrohjen qendrore të qytetit. Si rezultat i projektit 38 mijë qytetarë të Prishtinës do të përfitojnë nga ngrohja e besueshme. Po ashtu, kjo do të mundësojë zvogëlimin e ndotësve. Bashkimi Evropian ka kontribuar që sistemi i ngrohjes qendrore për Prishtinën për të pastruar energjinë dhe sigurimin e energjisë”, përfundoi ai.