Studentja e vitit të dytë në programin e Dizajnit të Modës në UBT, Erza Fejza, ka shënuar një sukses të rëndësishëm krijues, pasi projekti i saj është përzgjedhur fitues në konkursin “Tirana School Mural Fest” dhe tashmë është realizuar në fasadën e Gjimnazit “Bedri Lagami” në Tiranë.
Konkursi, me temën “Ngjyrat dhe simbolet e traditës etnografike shqiptare”, u ka dhënë mundësi të rinjve të interpretojnë trashëgiminë kulturore shqiptare përmes një gjuhe artistike bashkëkohore, të frymëzuar nga ngjyrat, motivet dhe ornamentet e veshjeve popullore dhe tekstileve tradicionale shqiptare.
Pas përzgjedhjes si projekt fitues dhe përshtatjes grafike sipas kërkesave specifike të artit mural, ideja kreative e Erzës u realizua nga artistët profesionistë të Bashkisë së Tiranës. Përzgjedhja e projektit fitues u konfirmua nga Helidon Gjergji, drejtor artistik i festivalit.
Tashmë, murali është bërë pjesë e mjedisit shkollor dhe e përditshmërisë së nxënësve, duke sjellë një interpretim artistik të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe duke dëshmuar se krijimtaria e të rinjve mund të shndërrohet në vepra me ndikim të drejtpërdrejtë në hapësirat publike.
Kjo arritje dëshmon potencialin krijues të studentëve të UBT-së dhe rëndësinë e ndërthurjes së edukimit artistik me projekte praktike që lidhin artin, identitetin kulturor dhe komunitetin.
