Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të qeverisë me Komunën e Gjakovës edhe për katër vitet e ardhshme.
Gjini konfirmoi fitoren e tij në raundin e dytë të zgjedhjeve që u mbajtën të dielën e 14 nëntorit. Ai në këto zgjedhje lokale (2021), fitoi 20 mijë e 254 vota (56,06%), duke lënë pas kundërkandidaten e tij nga Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila e cila fitoi 15 mijë e 873 vota apo 43,94%
Kush është Ardian Gjini?
Ardian Gjini ka lindur me 18 janar 1970 në Gjakovë. Në vitin 2017 ai u zgjodh kryetar i Komunës së Gjakovës. Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës për dy mandate dhe kryetar i Grupit Parlamentar të AAKsë.
Në legjislaturat e kuvendit ka qenë anëtar i komisionit për Punë të Jashtme dhe atij për Legjislacion.
Prej qershorit të vitit 1997 deri në mars të vitit 2001 ka qenë kryetar i degës së Partisë Nacionale Demokratike Shqiptare në Gjakovë.
Ka shërbyer po ashtu si nënkryetar i komunës së Gjakovës deri në tetor të vitit 2000. Po atë vit është zgjedhur anëtar i asamblesë komunale në Gjakovë dhe drejtor i departamentit të Teknologjisë Informative.
Gjatë bisedimeve për statusin përfundimtarë të Kosovës ka qenë anëtar i Grupit Politik Strategjik për negociata gjatë negociatave në Vjenë për planin Ahtisaari.
Ka qenë poashtu anëtar i komisionit të parë kushtetues.
Ardian Gjini është veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga marsi 2002 deri në shtator 2003 ka shërbyer si këshilltar politik i kryeministrit Bajram Rexhepi.
Në dhjetor 2004 është emëruar këshilltar i parë politik i kryeministrit Ramush Haradinaj.
Në mars 2005 është zgjedhur ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në qeverinë e Kosovës. Në këtë post ka shërbyer deri në dhjetor të vitit 2007.
Aktualisht është nënkryetar i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetarë i degës së kësaj partie në Gjakovë.
Mbanë Master në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Studime Europiane nga universiteti i Kentit në Canterbury.
Është i martuar, ka dy vajza dhe një djalë. Jeton në Gjakovë.