Profesori Milaim Berisha nga UBT, në bashkëpunim me studiuesin Pablo Prieto-González, ka publikuar një studim të ri shkencor në revistën ndërkombëtare “Journal of Human Sport and Exercise” (JHSE), të fokusuar në analizën e aftësive motorike në gjimnastikën artistike.
Studimi sasior përshkrues analizon 239 teknika të përcaktuara në udhëzuesin teknik të Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës (FIG) për të dyja gjinitë. Hulumtimi ka identifikuar praninë dhe rëndësinë e komponentëve kryesorë motorikë, si koordinimi, fuqia, shpejtësia, lëvizshmëria, fleksibiliteti, ekuilibri, qëndrueshmëria dhe shkathtësia në secilin aparat.
Gjetjet e studimit tregojnë se, ndonëse disiplinat e gjimnastikës artistike ndajnë aftësi të përbashkëta, secila prej tyre ka kërkesa specifike që ndryshojnë në bazë të nivelit të vështirësisë së lëvizjeve.
Autorët përfundojnë se me evoluimin e teknikave dhe integrimin e teknologjive të reja në këtë sport, programet e stërvitjes duhet të përditësohen në mënyrë të vazhdueshme për t’iu përshtatur kërkesave bashkëkohore. /E.A/

