Profesori i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimtarisë dhe Infrastrukturës në UBT, Hazir S. Çadraku, ka publikuar një punim shkencor në revistën ndërkombëtare “Underground Vision – SpeleoMedit Magazine”, një platformë e njohur që trajton kërkimin, eksplorimin dhe kulturën e botës nëntokësore.
Punimi me titull “Getting to Know the ‘Vërmicë’ Spring, Republic of Kosovo” paraqet një studim të detajuar mbi burimin “Vërmicë” në Kosovë, duke e vendosur atë në një kontekst më të gjerë të rëndësisë së burimeve ujore në nivel global dhe lokal. Përmes këtij publikimi, profesori Çadraku sjell në vëmendje rolin jetik që kanë burimet natyrore të ujit për ekosistemet, zhvillimin e qëndrueshëm dhe jetën e përditshme të njerëzve.
Në punimin e tij, ai thekson se burimet ujore përfaqësojnë një nga asetet më të rëndësishme natyrore, duke qenë pika fillestare e rrjedhave sipërfaqësore dhe një komponent thelbësor për biodiversitetin dhe zhvillimin njerëzor. Në një kohë kur mungesa e ujit po shndërrohet në një sfidë globale, studime të tilla marrin rëndësi të veçantë për menaxhimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të resurseve ujore.
Sipas të dhënave të paraqitura në studim, në territorin e Kosovës janë identifikuar mbi 7,200 burime ujore, ndërsa rreth 32% e ujit të pijshëm sigurohet nga burimet. Megjithatë, theksohet se ende ekziston nevoja për hulumtime të detajuar dhe për krijimin një baze të dhënash (databazë) të plotë, duke qenë se një pjesë e madhe e burimeve të ujit ende nuk janë mjaftueshëm të dokumentuara.
Punimi i profesorit Çadraku kontribuon në këtë drejtim, duke ofruar të dhëna dhe analiza konkrete për burimin “Vërmicë”, si dhe duke ngritur vetëdijen për rëndësinë e mbrojtjes dhe menaxhimit të qëndrueshëm të ujërave në Kosovë.
Ky publikim përfaqëson një arritje të rëndësishme akademike për UBT-në, duke dëshmuar angazhimin e stafit akademik në kërkimin shkencor dhe në adresimin e çështjeve me rëndësi strategjike për shoqërinë dhe mjedisin.
UBT vazhdon të mbështesë fuqishëm kërkimin shkencor dhe publikimet ndërkombëtare, duke kontribuar në avancimin e dijes dhe në promovimin e ekspertizës akademike nga Kosova në arenën globale.
