UBT News

Profesori i UBT-së, Genc Demjaha, ligjëroi në Simpoziumin e III-të të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Austri

Profesori i UBT-së, Genc Demjaha, ishte një nga ligjëruesit e Simpoziumit të III-të të organizuar nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Austri (SHMSHA), në bashkëpunim me Odën e Mjekëve të Krahinës së Steiermarkut (Ärztekammer Steiermark), ngjarje e mbajtur në Graz të Austrisë.

Në kuadër të programit shkencor të simpoziumit, profesori Demjaha mbajti ligjëratën me temën “Parimet e Sigurisë së Pacientit në Sistemin Shëndetësor”, ku trajtoi aspektet themelore të sigurisë së pacientit dhe rëndësinë e zbatimit të standardeve bashkëkohore në kujdesin shëndetësor.

Gjatë prezantimit, ai vuri theks të veçantë në menaxhimin e rreziqeve klinike, promovimin e kulturës së sigurisë në institucionet shëndetësore, si dhe në përgjegjësinë profesionale për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të sigurta për pacientët. Ligjërata nxiti diskutime të rëndësishme ndërmjet pjesëmarrësve dhe kontribuoi në shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e sigurisë së pacientit.

Simpoziumi mblodhi mjekë, stomatologë, studiues dhe profesionistë të shëndetësisë nga Austria, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera evropiane, duke shërbyer si platformë për prezantimin e arritjeve shkencore, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në sektorin e shëndetësisë.

Organizimi i këtij simpoziumi, për herë të parë në bashkëpunim të ngushtë me Ärztekammer Steiermark, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt thellimit të lidhjeve profesionale dhe institucionale ndërmjet komunitetit mjekësor shqiptar dhe institucioneve shëndetësore austriake.

Pjesëmarrja dhe kontributi i profesorit Genc Demjaha në këtë ngjarje prestigjioze dëshmojnë angazhimin e vazhdueshëm të stafit akademik të UBT-së në promovimin e dijes, shkëmbimin e ekspertizës dhe avancimin e praktikave profesionale në nivel ndërkombëtar.

Exit mobile version