Profesori i UBT-së dhe Prodekan i Fakultetit të Studimeve të Sigurisë, Arian Kadriu, ka publikuar një punim shkencor në bashkautori me gjeneralin Giuseppe Morabito, të titulluar “Gli italiani nella KFOR in Kosovo: un modello per le missioni di pace”, i botuar në Fondazione Machiavelli.
Punimi analizon rolin e misionit të KFOR-it në Kosovë pas luftës së vitit 1999, me fokus të veçantë kontributin e Italisë në operacionet e paqes, stabilitetit dhe rindërtimit institucional në Kosovë. Studimi trajton gjithashtu dimensionin civil-ushtarak (CIMIC), si dhe rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetet lokale në ndërtimin e besimit dhe sigurisë afatgjatë.
Autori thekson se modeli italian në kuadër të KFOR-it paraqet një qasje të suksesshme të ndërthurjes së forcës ushtarake me ndjeshmërinë humanitare dhe bashkëpunimin civil, duke ofruar një shembull të rëndësishëm për misionet paqeruajtëse në të ardhmen.
Pjesëmarrja dhe kontributi akademik i Prof. Arian Kadriut në këtë publikim ndërkombëtar dëshmon angazhimin e tij në fushën e studimeve të sigurisë dhe rolin aktiv të UBT-së në debatet shkencore globale mbi paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

