Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në UBT, Prof. Dr. Alfred Marleku dhe studenti Valon Ismaili kanë publikuar artikullin më të ri shkencor në revistën ndërkombëtare New Perspectives, e cila botohet nga SAGE Journals nën mbikëqyrjen e Institute of International Relations në Pragë.
Duke u mbështetur në literaturën politikës së kujtesës dhe të rivalitetit mimetik, artikulli me titull “Contesting legitimacy through memory: Mimetic rivalry and Serbian elite discourse in the Kosovo–Serbia dispute” shqyrton dy zhvillime të rëndësishme në marrëdhëniet Kosovë–Serbi: tërheqjen e koordinuar të serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në vitin 2022 dhe sulmin në Banjskë në vitin 2023. Përmes një qasje metodologjike cilësore dhe analize të diskursit, artikulli shqyrton se në çfarë mënyre elitat politike serbe janë përfshirë në rivalitet mimetik që nga viti 2022 duke përvetësuar repertorin simbolik dhe narrativ të lidhura historikisht me rezistencën e shqiptarëve të Kosovës.
Artikulli argumenton se këto dy kriza nuk duhet të kuptohen si episode të izoluara, por si momente të ndërlidhura brenda një strategjie më të gjerë të elitave politike serbe për përvetësimin e narrativave historikisht të lidhura me rezistencën shqiptare të Kosovës. Në këtë kuptim, artikulli tregon se elitat serbe kanë riprodhuar në mënyrë selektive elemente të narrativës së luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, me qëllim që serbët e Kosovës të paraqiten si komunitet i kërcënuar, rezistenca e të cilit konsiderohet moralisht e justifikuar.
Ky artikull përbën një kontribut të rëndësishëm në literaturën mbi politikën e kujtesës, rivalitetin mimetik, ndërtimin e legjitimitetit politik dhe proceset e paqes në kontekstin e raporteve Kosovë–Serbi. Studimi thekson se konkurrenca simbolike dhe përvetësimi i narrativave historike mund të thellojnë antagonizmat, të dobësojnë procesin e normalizimit dhe të pengojnë përpjekjet për ndërtimin e paqes.
Artikulli mund të lexohet në: https://journals.sagepub.com/doi/10.1177/2336825X261456645
