UBT News

Profesorët e UBT-së publikojnë studim në revistën ndërkombëtare Aquatic Ecology

Profesorët e UBT-së: Pajtim Bytyqi, Hazir S. Çadraku dhe Osman Fetoshi, në bashkëpunim me studiues nga universitete të vendit, rajonit, Evropës dhe më gjerë, kanë publikuar një artikull shkencor në revistën ndërkombëtare Aquatic Ecology (Springer).

Studimi me titull “Assessment of macrophytes biological indexes for Mirusha River and evaluation of physicochemical parameters in the Republic of Kosovo” është botuar më 13 shkurt 2026 (Volume 60, Article 25).

Hulumtimi, i zhvilluar gjatë viteve 2022–2023, analizon gjendjen ekologjike të Lumit Mirusha duke përdorur makrofitet si bioindikatorë dhe duke matur parametrat fiziko-kimikë në gjashtë pika monitorimi.

Rezultatet identifikuan 53 specie makrofitesh nga 25 familje, ndërsa analizat laboratorike treguan nivele të larta ndotjeje organike dhe ngarkesë të konsiderueshme me lëndë ushqyese, përfshirë BOD, COD, nitrite, nitrate, azot total, amoniak dhe fosfor total.

Studimi evidenton se segmentet e sipërme të lumit (SP1–SP3) janë më të ndotura nga aktivitetet industriale dhe banesore, ndërsa segmentet e poshtme (SP4–SP6) ndikohen nga gastronomia dhe infrastruktura lokale. Gjetjet tregojnë qartë ndikimin e aktivitetit antropogjen në komunitetet bimore ujore dhe nevojën për masa të synuara restauruese për përmirësimin e shëndetit të lumenjve dhe ruajtjen e biodiversitetit.

Ky publikim thekson angazhimin e UBT në kërkime mjedisore dhe bashkëpunime ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin e politikave të qëndrueshme për menaxhimin e ujërave dhe mbrojtjen e ekosistemeve ujore në Kosovë.

Artikulli i plotë mund të gjendet këtu: Springer Link

Exit mobile version