UBT News

Profesorët e UBT-së botojnë studimin mjekësor në revistën prestigjoze ndërkombëtare MDPI

Screenshot

Profesorët e UBT-së, Dr. Lirim Shefki Mustafa dhe Dr. Fitim Bexhet Alidema, kanë publikuar një studim mjekësor në revistën e njohur ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology”, që është pjesë e platformës së fuqishme shkencore MDPI.

Ky punim, me titullin “Comparison of Two Triple Therapy Regimens for Helicobacter pylori Eradication in Patients with Dyspepsia: A Retrospective Study from Primary Care”, ka arritur të indeksohet në rrjetet më të rëndësishme të shkencës botërore si Web of Science dhe Scopus, duke u renditur në kategorinë e lartë Q2.

Ky hulumtim i stafit të UBT-së ka një rëndësi të madhe praktike pasi ka marrë në shqyrtim plot 1,800 pacientë të rritur që u trajtuan mes janarit të vitit 2023 dhe fillimit të vitit 2026.

Qëllimi ishte të gjendej një zgjidhje më e mirë kundër bakterit të rrezikshëm Helicobacter pylori, i cili shkakton probleme si gastriti apo ulçera, në një kohë kur trajtimet klasike po dështojnë rregullisht për shkak se bakteri është bërë rezistent ndaj antibiotikëve standardë.

Nga krahasimi që u bë, doli se terapia e re e bazuar në levofloxacin funksionon shumë më mirë, duke e zhdukur bakterin në 82.9% të rasteve, përballë trajtimit të vjetër me clarithromycin që pati sukses vetëm në 71.8% të pacientëve.

Përveç se më efektiv, ky kombinim i ri solli edhe më pak efekte anësore për organizmin. Profesorët zbuluan gjithashtu se stili i jetesës ndikon shumë në shërim, pasi duhani, alkooli, obeziteti dhe diabeti e bëjnë bakterin më të fortë dhe rrisin shanset që trajtimi të dështojë.

Ky botim, i dalë zyrtarisht sot më 13 korrik 2026, tregon edhe një herë nivelin e lartë të kërkimit shkencor në UBT dhe u vjen në ndihmë direkt mjekëve për të dhënë receta më të sakta e pa i keqpërdorur antibiotikët.

Exit mobile version