UBT News

Profesorët e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit publikojnë në revistën e indeksuar në Scopus

Profesorët e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, dr. Votim Hanoli dhe dr.Ferid Selimi, së bashku me koautoren Elda Sinani, publikuan punimin “Hedonizmi në epokën digjitale: Një analizë e përdorimit të rrjeteve sociale si burim kënaqësie”, në revistën ndërkombëtare “Architectural Image Studies”, e indeksuar në platformën Scopus.

Ky punim trajton marrëdhënien mes hedonizmit dhe përdorimit të rrjeteve sociale në kontekstin e epokës digjitale. Në një shoqëri gjithnjë e më të ndërvarur nga teknologjia dhe komunikimi virtual, rrjetet sociale janë shndërruar në mjete të fuqishme për përmbushjen e nevojave emocionale dhe psikologjike të individëve, përfshirë kënaqësinë e menjëhershme, vëmendjen dhe vlerësimin social.

Duke u mbështetur në teori të tilla si Teoria e Kultivimit (George Gerbner), dhe Teoria e kornizimit (Framing) e (Goffman), studimi eksploron motivimet hedoniste që qëndrojnë pas sjelljes së përdoruesve në platformat digjitale.

Për të analizuar këtë fenomen, u realizua një studim empirik ku të dhënat tregojnë se shumica e të rinjve e përjetojnë përdorimin e rrjeteve sociale si një burim kënaqësie të menjëhershme, sidomos në lidhje me marrjen e pëlqimeve, ndarjen e përmbajtjeve personale dhe ndërveprimet sociale. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve raportuan gjithashtu ndjenja boshllëku, ulje të vetëbesimit dhe varësi emocionale ndaj këtyre platformave.

Rezultatet sugjerojnë se rrjetet sociale funksionojnë si një mekanizëm i fuqishëm për përmbushjen e nevojave hedoniste, por gjithashtu ngrenë shqetësime lidhur me ndikimet afatgjata në mirëqenien psikologjike. Punimi përfundon me sugjerime për ndërgjegjësim mediatik dhe përdorim më të vetëdijshëm të teknologjisë dhe mediave sociale./UBTNews

Linku i revistës: Architectural Image Studies, 2184-8645

https://journals.ap2.pt/index.php/ais

https://www.scopus.com/sourceid/21101247624

Exit mobile version