UBT News

Profesorët e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit publikojnë në revistën e indeksuar në Scopus

Profesorët e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, dr. Votim Hanoli dhe dr.Ferid Selimi, së bashku me koautoren Elda Sinani, publikuan punimin “Hedonizmi në epokën digjitale: Një analizë e përdorimit të rrjeteve sociale si burim kënaqësie”, në revistën ndërkombëtare “Architectural Image Studies”, e indeksuar në platformën Scopus.

Ky punim trajton marrëdhënien mes hedonizmit dhe përdorimit të rrjeteve sociale në kontekstin e epokës digjitale. Në një shoqëri gjithnjë e më të ndërvarur nga teknologjia dhe komunikimi virtual, rrjetet sociale janë shndërruar në mjete të fuqishme për përmbushjen e nevojave emocionale dhe psikologjike të individëve, përfshirë kënaqësinë e menjëhershme, vëmendjen dhe vlerësimin social.

Duke u mbështetur në teori të tilla si Teoria e Kultivimit (George Gerbner), dhe Teoria e kornizimit (Framing) e (Goffman), studimi eksploron motivimet hedoniste që qëndrojnë pas sjelljes së përdoruesve në platformat digjitale.

Për të analizuar këtë fenomen, u realizua një studim empirik ku të dhënat tregojnë se shumica e të rinjve e përjetojnë përdorimin e rrjeteve sociale si një burim kënaqësie të menjëhershme, sidomos në lidhje me marrjen e pëlqimeve, ndarjen e përmbajtjeve personale dhe ndërveprimet sociale. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve raportuan gjithashtu ndjenja boshllëku, ulje të vetëbesimit dhe varësi emocionale ndaj këtyre platformave.

Rezultatet sugjerojnë se rrjetet sociale funksionojnë si një mekanizëm i fuqishëm për përmbushjen e nevojave hedoniste, por gjithashtu ngrenë shqetësime lidhur me ndikimet afatgjata në mirëqenien psikologjike. Punimi përfundon me sugjerime për ndërgjegjësim mediatik dhe përdorim më të vetëdijshëm të teknologjisë dhe mediave sociale.

Linku i revistës: Architectural Image Studies, 2184-8645

 

Exit mobile version