UBT News

Profesoresha e UBT-së, Jeta Kiseri – Kubati dhe Alumni i Stomatologjisë, Diona Panxhaj, publikojnë studim shkencor me universitete nga Meksika dhe Maqedonia e Veriut

Një tjetër sukses në fushën e kërkimit shkencor vjen nga UBT, përmes një bashkëpunimi ndërkombëtar mes Fakultetit të Stomatologjisë në UBT, Fakultetit të Stomatologjisë të National Autonomous University of Mexico (UNAM) dhe Fakultetit të Stomatologjisë të Maqedonisë së Veriut.

Profesoresha e UBT-së, Dr. Jeta Kiseri – Kubati, ka publikuar studimin shkencor me titull “Bleeding on Probing Associated with Two Different Bonded Fixed Retainers: A 12-Month Evaluation” në revistën prestigjioze International Journal of Biomedicine, duke sjellë rezultate të rëndësishme në fushën e ortodoncisë dhe shëndetit periodontal.

Një aspekt i veçantë i këtij publikimi është përfshirja si bashkautore e ish-studentes së UBT-së, tashmë alumne, Diona Panxhaj, e cila vazhdon të kontribuojë në aktivitete kërkimore shkencore edhe pas përfundimit të studimeve. Ky bashkëpunim dëshmon përkushtimin e UBT-së në zhvillimin e brezave të rinj të profesionistëve dhe integrimin e tyre në projekte kërkimore me karakter ndërkombëtar.

Studimi ka analizuar ndikimin e dy llojeve të retainers fiks ortodontikë në gjendjen periodontale të pacientëve gjatë një periudhe 12-mujore. Rezultatet treguan se retainers me dizajn të sheshtë (flat retainers) shoqëroheshin me nivele më të ulëta të gjakderdhjes gjatë sondimit periodontal krahasuar me retainers me dizajn të rrumbullakët, duke sugjeruar një përgjigje më të favorshme periodontale.

Ky publikim përfaqëson një tjetër dëshmi të angazhimit të stafit akademik dhe studentëve të UBT-së në prodhimin e njohurive shkencore me ndikim ndërkombëtar, si dhe forcimin e bashkëpunimit me institucione prestigjioze të arsimit të lartë në botë.

UBT vazhdon të mbështesë kërkimin shkencor, inovacionin dhe përfshirjen aktive të studentëve dhe alumnëve në projekte që kontribuojnë në avancimin e shkencës dhe praktikës profesionale.

Exit mobile version