UBT News

Procesi në Hagë: Grupi strategjik mblidhet të shtunën, procedurat e apelit mbahen në konfidencialitet

Gjashtë vjet pas dërgimit në Hagë të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), institucionet shtetërore dhe subjektet politike në Kosovë kanë intensifikuar veprimet për mbështetjen e procesit të apelit, pas vendimit me të cilin ata u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Të shtunën pritet të mbajë takimin e radhës grupi strategjik për hartimin dhe zbatimin e strategjisë shtetërore lidhur me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara. Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se punimet e këtij grupi do të zhvillohen në mënyrë të plotë konfidenciale me synim koordinimin e saktë institucional.

Konjufca konfirmoi se grupi është konstituuar gjatë javës së kaluar, ku janë përcaktuar rregullat e punës dhe është formalizuar edhe trupa punuese.

Paralelisht me këtë proces, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar një angazhim të përbashkët politik dhe institucional në mbrojtje të procesit të apelit.

Nga ana tjetër, platforma “Liria ka Emër” u është drejtuar zyrtarisht institucioneve të Bashkimit Evropian me gjashtë kërkesa specifike, përmes të cilave kërkohet shqyrtimi i menjëhershëm i shqetësimeve lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve për një gjykim të drejtë e të paanshëm në Gjykatën Speciale. /E.A/

Exit mobile version