Emoji-t janë padyshim një gjuhë universale, ku 6 miliardë të tilla dërgohen çdo ditë. Megjithatë, shumica e përdoruesve thonë se përfaqësimi duhet të jetë më gjithëpërfshirës.
Raporti i fundit, i titulluar “Global Emoji Diversity & Inclusion”, ka në qendër diversitetin dhe përfshirjen dhe zbuloi se 83% e përdoruesve globalë të emoji-ve duan që krijuesit e imazheve të vogla dixhitale të kenë një përfaqësim më gjithëpërfshirës.
Sondazhi i 7,000 përdoruesve të shpeshtë të emoji-ve nga shtatë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Japoninë, Francën, Australinë dhe Korenë e Jugut, zbuloi se 54% e të anketuarve mendonin se identiteti i tyre reflektohej në mënyrë të përshtatshme në opsionet aktuale të emoji-ve. Vetëm 37% e përdoruesve me nevoja të veçanta thanë se ndiheshin të përfaqësuar nga emoji-t aktualë.
Kultura ishte kategoria më e përmendur për të cilën përdoruesit kërkuan më shumë gjithëpërfshirje, e ndjekur nga raca dhe etnia. Ngjyra ose modeli i flokëve, aksesorët e veshjeve, lloji i trupit dhe ngjyra e syve ishin opsionet më të njohura mbi personalizimin që përdoruesit e emoji-ve thanë se do të pasqyronin më mirë pamjen personale.
Studiuest zbuluan gjithashtu se dëshira për emoji të tjerë ndryshon shumë në varësi të moshës, ku 74% e gjeneratës Z duan më shumë ikona që përfaqësojnë identitetin e tyre.
Adobe po bashkëpunon me grupin advokues për emoji-t, Emojination, për të nxitur krijimin e ikonave më përfaqësuese në të gjithë botën. Më parë, Emojination ka bindur dizajnerët të krijojnë më shumë se 100 emoji, duke përfshirë ikona që përfaqësojnë çifte ndërracore, hixhab dhe veshjet sari.