UBT News

Pritje madhështore për Trump-in në Kinë, por problemet mbeten

Xi Jinping organizoi një pritje madhështore për Donald Trump-in në ditën e parë të një vizite që mund të rivendosë marrëdhëniet midis superfuqive rivale.

Garda e nderit ushtarak u rreshtua jashtë Sallës së Madhe të Popullit për të mirëpritur Trump-in, e shoqëruar me shtëna përshëndetëse dhe një bandë muzikore që luante himnin kombëtar të SHBA-së. Presidenti ndaloi dy herë për të përshëndetur fëmijët e shkollave që brohorisnin me flamuj kinezë dhe amerikanë.

Teksa shtrëngonte duart me Xi-në, ai u përkul për t’i rrahur krahun në atë që dukej si një gjest ngrohtësie, ndërsa nuk kurseu lëvdatat për mikpritësin e tij.

“Ju jeni një udhëheqës i madh. Këtë ua them të gjithëve,” deklaroi ai në ato që dukeshin si komente spontane. Më vonë, gjatë vizitës në Tempullin e Qiellit të shekullit XV, ai u shpreh para gazetarëve se Kina ishte e bukur. Në banketin e kësaj mbrëmjeje, ai i quajti bisedimet si një mundësi “të çmuar”.

Ishte një ditë e jashtëzakonshme, duke pasur parasysh se Trump e ndërtoi markën e tij politike duke folur ashpër ndaj Kinës.

“Ne nuk mund të vazhdojmë të lejojmë Kinën të përdhunojë vendin tonë, dhe kjo është ajo që po bëjnë,” u thoshte ai mbështetësve në një tubim fushate në vitin 2016.

Në vitin 2020, ai pretendoi se Kina e ka “vjollur Shtetet e Bashkuara si askush tjetër më parë” dhe e përshkroi pandeminë e Covid-19 si “virusi kinez”. Para se të kthehej në pushtet, ai u zotua se do ta “bënte Kinën të paguante”.

Në kulmin e luftës tregtare vitin e kaluar, të dyja palët kishin vendosur tarifa që kalonin 100% mbi produktet e njëra-tjetrës. Pasoi një armëpushim i brishtë, por një nga pyetjet kryesore që rëndon mbi këtë vizitë është se sa do të zgjasë ai dhe çfarë marrëveshjeje do të zërë vendin e tij?/BBC/

 

Exit mobile version