UBT News

Pritet vazhdimi i bisedimeve të Iranit me fuqitë botërore

Në Vjenë të Austrisë do të vazhdojnë bisedimet që synojnë ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të Iranit me fuqitë botërore.

Ky do të jetë raundi i fundit i bisedimeve, në përpjekje për ta bërë të zbatueshme marrëveshjen dhe për të bindur Teheranin që t’i japë fund shkeljes së saj.

Negociatat kanë për qëllim edhe kthimin e Shteteve të Bashkuara në marrëveshje, pasi ish-presidenti amerikan, Donald Trump ishte tërhequr nga ajo në vitin 2018, me arsyetimin se dokumenti ishte i negociuar keq dhe se i mundësonte Iranit të posedojë armë bërthamore.

Diskutimet në Vjenë midis Iranit, Kinës, Rusisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, me pjesëmarrjen indirekte të Shteteve të Bashkuara, po drejtohet nga Bashkimi Evropian.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabi Ashkenazi, ka thënë më 16 prill se vendi i tij do të bëjë “gjithçka që duhet” për të siguruar që Irani të mos ketë armë bërthamore.

Edhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu më parë është shprehur kundër rikthimit në marrëveshjen bërthamore me Iranin.

“Ne nuk duhet t’i kthehemi marrëveshjes së rrezikshme bërthamore me Iranin, sepse një Iran bërthamor është një kërcënim ekzistencial për shtetin e Izraelit dhe një kërcënim i madh për sigurinë e të gjithë botës”, pati thënë Netanyahu.

Exit mobile version