Shfaqja mysafire “Prishtina – vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” vjen sot, nga ora 20:00 në Teatrin e Gjilanit.
Produksioni i Qendrës Multimedia, me tekst nga Jeton Neziraj dhe regji nga Blerta Neziraj, sjell një rrëfim të fuqishëm për fatin e një qyteti që humb ëndrrën e tij bashkë me arkitektin. Duke u mbështetur në historinë e arkitektit Rexhep Luci, shfaqja trajton përplasjen mes vizionit urban dhe interesave të mafisë së ndërtimit.
Përmes një narrative që ndërthur të kaluarën me të tashmen, ajo ngre pyetje të rëndësishme mbi mënyrën se si ndërtohen dhe shkatërrohen qytetet, si dhe mbi pasojat e transformimeve të pakontrolluara urbane. Njëkohësisht, shfaqja vjen si homazh për figurën e Lucit dhe si thirrje për reflektim mbi humbjen e identitetit të qytetit.
Në këtë produksion interpretojnë aktorët Armend Smajli, Verona Koxha, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi dhe Afrim Muçaj.
