Pas muajsh të mbushur me basketboll spektakolar 3×3 në qytete të ndryshme të Kosovës, edicioni i dytë i Alley Oop u mbyll me një finale emocionuese që solli rivalitet dhe adrenalinë deri në sekondat e fundit.
Në turneun final morën pjesë gjashtë skuadrat kampione të qyteteve: Prishtina, Prizreni, Mitrovica, Peja, Gjakova dhe Suhareka, të cilat dhuruan ndeshje cilësore dhe atmosferë të jashtëzakonshme për tifozët e basketbollit 3×3.
Finalja e madhe vuri përballë ekipet Bero Kingdom dhe Prishtinën. Në një ndeshje dramatike dhe të luftuar deri në fund, bardhekaltrit arritën të triumfojnë me rezultat 19:17, duke fituar titullin e kampionit të Alley Oop 2026 dhe duke ndërprerë dominimin e kampionëve të edicionit të parë.
Përveç trofeut, skuadra e Prishtinës u shpërblye edhe me 1,000 euro, si fituese e turneut.
Organizatorët vlerësuan paraqitjet e të gjitha skuadrave pjesëmarrëse, të cilat kontribuuan në suksesin e një tjetër edicioni të Alley Oop. Projekti vazhdon të ketë si mision kryesor masivizimin dhe promovimin e basketbollit 3×3 në të gjithë Kosovën.
Alley Oop organizohet nga Federata e Basketbollit e Kosovës me mbështetjen e FIBA Europe.
D.L
