UBT News

Prishtina shkatërron Trepçën ’89, kurse Drita eliminon Dukagjinin në penallti

Prishtina ka fituar me rezultat të thellë 5-1 ndaj Trepçës ’89 në ndeshjen e çerekfinales së Kupës së Kosovës, duke siguruar një vend në gjysmëfinale të kësaj gare.

Ekipi i Emmanuel Egbo ishte i pamëshirshëm ndaj mitrovicasve, pasi ndeshja kishte “mbaruar” thuajse në pjesën e parë, ku Prishtina shënoi katër gola.

Goli i parë i kryeqytetasve erdhi pas vetëm nëntë minutave lojë me Leotrim Kryeziun, i cili shënoi për 1-0, ndërsa në minutën e 25, Ardian Muja e dërgoi topin në rrjetë për 2-0.

Në minutën e 40-të ishte Mërgim Pefqeli, i cili shënoi nga pika e bardhë për 3-0, ndërsa për golin e katërt u përkujdes Hasan Hyseni i cili shënoi një minut para perfundimit të kohës së rregullt të pjesës së parë për të dërguar ekipin në pushim me një rezultat komod.

Në pjesën e dytë, u luajt lojë e barabartë, me mysafirët që shënuan një gol të parët me anë të Egzon Jasharit në minutën e 72-të për rezultatin 4-1, ndërsa Igball Jashari shënoi në minutën e 82 për rezultatin përfundimtar.

Kurse në ndeshjen tjetër, Drita ka eliminuar skuadrën e Dukagjinit pas ekzekutimit të penalltive me rezultat 4-3.

Ekipi nga Gjilani ka arritur të fitojë në transfertë ndaj Dukagjinit në një ndeshje shumë të luftuar, e cila fituesin e mësoi pas penalltive.

Në pjesën e parë të ndeshjes u luajt lojë e fortë dhe e luftuar nga të dyja anët, të cilat edhe rrezikuan disa herë njëra-tjetrën.

Në pjesën e dytë, vendasit ishin skuadër më e mirë dhe më kërkuese, duke rrezikuar disa herë me anë të Altin Mërlakut, por pa rezultat.

Ndërsa në vazhdime, të dyja skuadrat tentuan të shënonin, por më shumë të mos e pësonin dhe kështu ndeshja duhej të lihej në fatin e penalltive. Në penallti më të saktë ishin mysafirët, duke fituar me rezultat 4-3./UBTNews/

Exit mobile version