UBT News

Prishtina qendër e evropianit të Esports, Kurti: Ngjarje të tilla të shërbejnë për të ndërtuar ura e jo mure

36 ekipe nga 24 shtete të Evropës do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian të Esports që ka nisur sot në Prishtinë, ndeshjet e së cilit do të zhvillohen në Palestrën e Sporteve “1 Tetori” Kosova jo vetëm që do të jetë mikpritëse e kësaj gare madhore, por edhe do të përfaqësohet me ekipin e saj kombëtar.

Në ceremoninë e hapjes zyrtare, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili të pranishmëve iu drejtua në gjuhën angleze, theksoi se megjithëse në botë ky njihet si sport i ri, Kosova ka një storie të gjatë në këtë aktivitet pasi që të rinjtë kosovarë shumë vite më parë filluan angazhimin e tyre në lojërat elektronike nëpër internetcaffe, duke bërë kështu hapat e parë drejtë rritjes profesionale në këtë sport.

Kurti gjithashtu bëri thirrje që nga sot e deri më 13 korrik, ekipi përfaqësues i Kosovës në këtë garë të mbështetet me zemër nga të gjithë adhuruesit dhe praktikuesit e lojërave elektronike-Esports.

Sigurisht, fitorja ka rëndësi. Çdo atlet këtu ka ndjekur shkëlqesinë me pasion dhe angazhim. Por, fuqia e vërtetë e këtij kampionatit jeton përtej tabelave të rezultateve, në lidhjet që kemi ndërtuar, në historitë që kemi ndarë dhe komuniteteve që kemi krijuar së bashku. Kosova është vend ku talenti rritet shpejtë, ndërsa ambicia rritet edhe më shpejtë. Nga atletët në fushë deri te zhvilluesit prapa ekranit, njerëzit tanë të ri mishërojnë fuqinë e vizionit dhe dedikimit”, theksoi Kurti.

Ai tha se ngjarje të tilla duhet të shërbejnë si ide për ndërtimin e ura e jo mure.

Kampionati Evropian Kosova 2025 qëndron si një etapë jo vetëm për esportin por çfarë përfaqëson për rajonin tonë dhe më tej. Këtu, në këtë skenë ne dëshmojmë si lojtarë nga vende dhe prejardhje të ndryshme bashkohen këtu të unifikuar nga një qëllim i përbashkët, të shtyrë nga respekti dhe puna në ekip. Kjo është pikërisht se çfarë ka nevojë bota sot, mundi i përbashkët që rritet përtej kufijve individuale dhe ide që ndërtojnë ura në vend të mureve”, tha Kurti.

Altin Preniqi, Kryetar i Federatës së Esports në Kosovë, tha se organizimi i këtij evropiani është moment historik për Kosovën sepse ky sport sjellë energji të madhe, e mbi të gjitha, miliarda shikues online nga e gjithë bota, duke u bërë kështu mundësi e rrallë për promovimin e imazhit të Republikës së Kosovës në mbarë rruzullin tokësorë.

Në këtë kampionat kemi përfaqësues nga vende të ndryshme, kultura të ndryshme, histori të ndryshme, por kemi një gjë të përbashkët, pasionin për lojën dhe respektin. Të gjithë jeni pjesë e momentit historik sepse ky evropian nuk është thjeshtë vetëm një turne, është një e vërtetë që sporti po evoluon”, theksoi Preniqi

Ky kampionat organizohet nga Federata Esports Kosova me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ndeshja e parë do të zhvillohet sot ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Çekisë.

Exit mobile version