Në Kino Armata, sot dhe nesër mbahet edicioni i dytë i ngjarjes dyditore unike “Frames of the Future”, ku prezantohet talenti i brezit të ri të kineastëve nga Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës.
Ky vit, edicioni shndërrohet në ngjarje garuese, audienca ka mundësinë të votojë për filmin më të mirë të studentëve, filmi fitues do të sigurojë një vend direkt në garën për Filmin më të mirë të shkurtër në edicionin e 18-të të PriFest, që do të mbahet në shtator 2026.
Dita e parë nis me hapjen zyrtare nga:
Fatos Berisha, drejtor i PriFest
Hazir Haziri, dekan i Fakultetit të Arteve
Ismet Sijarina, Shef i Katedrës së Regjisë së Filmit dhe Televizionit
Pas hapjes, do të shfaqen filmat e studentëve të Fakultetit të Arteve. Secili film do të shoqërohet me fjalë rasti nga ekipet e tij, si dhe sesione Open Q&A, ku publiku mund të bëjë pyetje.
Dita e dytë i dedikohet filmave garues të studentëve dhe projekteve të veçanta të realizuara nga Prishtina Kino Kabaret.
Këto projekte, bashkëprodhim i PriFest dhe Katror Media, janë jashtë garës dhe realizohen nën mentorimin e Valter Lucajt gjatë një jave intensive kreative.
Pas shfaqjes së filmave, do të mbahet një bisedë me Fatos Berishën mbi temën “Nga aplikimi në përzgjedhje”, ku drejtori i PriFest do të flasë për rëndësinë e festivaleve, procesin e aplikimit dhe mundësitë që ofrojnë festivale ndërkombëtare për studentët e filmit.
Në fund, do të shpallet filmi fitues i audiencës, i cili do të jetë filmi i parë zyrtar i edicionit të 18-të të PriFest. /A.Z/UBT News/

