Shfaqja “Prishtina: Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre”, produksion i Qendrës Multimedia, do të prezantohet më 28 maj 2026 në kuadër të “Dramatiker:innenfestival”, që mbahet në Graz të Austrisë nga 26 deri më 31 maj.
Drama me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt sjell në qendër transformimin urban të Prishtinës pas luftës, duke u fokusuar në figurën e arkitektit Rexhep Luci dhe ndryshimet e thella në hapësirën e qytetit.
Përmes një qasjeje bashkëkohore teatrore, shfaqja trajton çështje si planifikimi urban, arkitektura dhe trashëgimia kulturore, si dhe ndikimin e ndërtimeve pa kontroll në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Prishtina…” është pjesë e programit ndërkombëtar të festivalit dhe është shfaqur me sukses në Kosovë dhe jashtë saj, duke u vlerësuar edhe nga kritika ndërkombëtare për qasjen e saj reflektuese mbi qytetin dhe kujtesën urbane.
