UBT News

Prishtina në ritmin e 3×3

Screenshot

Kryeqyteti i Kosovës ka qenë dje në qendër të vëmendjes me një aktivitet të veçantë të basketbollit 3×3, ku u zhvilluan ndeshje 1 kundër 1, të organizuara nga Fis Juniku dhe 3×3 Prishtina.

Përveç përballjeve sportive, aktiviteti solli edhe atmosferë festive, me aktivitete të ndryshme dhe performanca nga këngëtarë, duke e kthyer ngjarjen në një spektakël për të gjithë të pranishmit.

Interesimi i madh u përqendrua te gara 1 kundër 1, ku basketbollistët patën mundësinë të tregojnë aftësitë e tyre individuale. Për fituesin ishte rezervuar edhe një shpërblim prej 1,500 eurosh.

Por aktiviteti i djeshëm është vetëm një tjetër dëshmi e zhvillimit të basketbollit 3×3 në Kosovë. 3×3 Prishtina ka përfaqësuar Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare, duke marrë pjesë në FIBA 3×3 World Tour Challenger, një prej platformave të rëndësishme të basketbollit 3×3 në botë.

Organizimi i ngjarjeve të tilla në Prishtinë është një lajm i mirë për sportin kosovar. Fakti që gara të nivelit të lartë po zhvillohen në kryeqytet dhe ekipet nga Kosova më pas po përfaqësojnë vendin në garat ndërkombëtare, tregon potencialin që ka basketbolli 3×3 në Kosovë.

Me organizime të tilla, Prishtina po synon të krijojë një traditë të re sportive dhe ta afrojë edhe më shumë basketbollin 3×3 me publikun kosovar dhe skenën ndërkombëtare.

D.L

Exit mobile version