Prishtina ka fituar ndeshjen e mbetur të xhiros së dytë në Superligën e Kosovës në futboll, duke e mposhtur kampionen në fuqi, Dritën, me rezultat 2:1.
Ndeshja u zhvillua të mërkurën në fushën me bari artificial në Gjilan, pasi ishte shtyrë për shkak të angazhimit të Dritës në garat evropiane.
Kryeqytetasit kaluan herët në epërsi me golin e ish-futbollistit të Dritës, Blend Baftiu.
Megjithatë, vendasit reaguan shpejt, duke barazuar shifrat në minutën e 19-të. Për 1:1 realizoi sulmuesi Blerim Krasniqi, rezultat me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Prishtina arriti të shënojë edhe golin e fitores. Ardian Hasani realizoi me kokë për 2:1, ndërsa goli u konfirmua pas rishikimit të situatës përmes sistemit VAR.
Kujtojmë se këto dy skuadra ishin përballur edhe më 25 tetor në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku Drita kishte triumfuar me rezultat të thellë 3:0.
Me këtë fitore, Prishtina ngjitet në pozitën e parë të tabelës me 29 pikë, dy më shumë se Malisheva që renditet e dyta.
Në anën tjetër, Drita mbetet në pozitën e tretë me 23 pikë.
D.L
