Me uljen e temperaturave, në Prishtinë është rikthyer sërish ndotja e lartë e ajrit. Sipas matjeve të platformës ndërkombëtare “IQAir”, Kosova u rendit mbrëmë në vendin e 29-të në botë për ajrin më të ndotur, me nivelin e grimcave të dëmshme PM që arriti në 79 njësi — vlerë kjo e rrezikshme për shëndetin e njeriut. Kryesimin e kësaj liste e mban Lahore i Pakistanit, ndërsa ajrin më të pastër aktualisht e ka Tokio i Japonisë.
Ndotja e ajrit shpesh nuk duket me sy, por rreziku kryesor vjen nga grimcat e imëta PM10 dhe PM2.5. Ndërsa grimcat PM10 futen në sistemin e frymëmarrjes, ato PM2.5 janë aq të vogla sa depërtojnë thellë në mushkëri dhe kalojnë edhe në qarkullimin e gjakut, duke rritur rrezikun për sëmundje të mushkërive, probleme me zemrën dhe vdekje të parakohshme. Udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) përcaktojnë se mesatarja vjetore nuk duhet t’i kalojë 5 mikrogramë për metër kub për PM2.5 dhe 15 mikrogramë për PM10.
Pse ndotet ajri në Kosovë?
Tre janë shkaktarët kryesorë të kësaj gjendjeje: prodhimi i rrymës me linjit, ngrohja e shtëpive me dru e qymyr dhe trafiku i rënduar rrugor. Një vlerësim i OBSH-së i publikuar në vitin 2024 gjeti lidhje të drejtpërdrejtë mes djegies së drurit për ngrohje dhe shqetësimeve shëndetësore, duke vënë në pah se ajri është i rënduar edhe brenda vetë banesave. Gjatë dimrit, kur ajri i ftohtë bllokohet pranë tokës, ndotësit nuk shpërndahen dhe përqendrimi i tyre rritet ndjeshëm pikërisht kur nevoja për ngrohje është më e madhe.
Bilanci i rëndë në rajon
Kjo situatë prek mbarë Ballkanin Perëndimor. Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, shumica e vendeve të rajonit i kanë tejkaluar kufijtë e BE-së për grimcat PM2.5, për shkak të lëndëve të ngurta djegëse, industrisë dhe makinave të vjetra. Pasojat shëndetësore janë alarmante: një raport i sivjetmë i OECD-së tregon se rajoni ka mesatarisht 126 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë — më shumë se trefishi i mesatares së Bashkimit Evropian (39.5). Maqedonia e Veriut prin me 146 vdekje për 100 mijë banorë, ndërsa Mali i Zi ka shifrën më të ulët në rajon me 89.
Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka kërkuar prej kohësh kontrolle më të rrepta teknike për veturat dhe monitorim të vazhdueshëm të filtrave të termocentraleve.
Ku ngec zgjidhja?
Për Avokatin e Popullit, problemi nuk qëndron vetëm te burimet e ndotjes, por te reagimi i dobët institucional, mungesa e inspektorëve dhe moszbatimi i ligjeve. Institucioni rikujton se ajri i pastër nuk është thjesht çështje mjedisore, por detyrim shtetëror për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Ndërsa Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për masat e këtij dimri, në programin qeverisës të prezantuar në shtator, kryeministri Albin Kurti ka premtuar modernizimin e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, zgjerimin e ngrohjes qendrore në Prishtinë dhe tetë komuna të tjera, si dhe 150 milionë euro investime për efiçiencë të energjisë. /Ekonomia Online/
