Që nga dita e djeshme, në Stacionin e Trenit në Prishtinë është i hapur Muzeu i Eksodit ’99, i cili sjell rrëfime dhe dëshmi mbi dëbimin masiv të qytetarëve të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999.
Brenda një vagoni treni janë vendosur 48 intervista të refugjatëve që përjetuan eksodin, duke dokumentuar një nga periudhat më të rënda të historisë së vendit.
Drejtoresha e Reporting House, Jeta Xharra, ka thënë se muzeu ka rëndësi të veçantë historike dhe edukative, pasi kujton dëbimin e qindra mijëra qytetarëve nga Kosova përmes linjës hekurudhore.
Gjatë luftës, familje të tëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre, ndërsa shumë qytetarë u grumbulluan në Stacionin Hekurudhor të Prishtinës dhe u larguan me trena jashtë Kosovës. Muzeu synon që këto rrëfime të mos harrohen dhe të mbeten pjesë e kujtesës kolektive. /A.K/
