Kampioni i Superligës së Kosovës, Prishtina dhe skuadra e sapo inkuadruar në ligë, Ulpiana, janë pajisur sot me GPS nga prodhuesi “Fitogether”, iniciativë kjo në kuadër të projektit për digjitalizimin e klubeve.
Me këtë rast, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi së bashku me anëtarin e Kreut Ekzekutiv Ismajl Ajetin kanë vizituar sot të dy klubet që u pajisën me GPS ku para futbollistëve dhe shtabit teknik të dy skuadrave janë shpalosur detajet e projektit të digjitalizimit të klubeve, përcjell KosovaPress.
“Ky projekt ka për qëllim krijimin e kushteve sa më të mira për punë në klubet tona dhe shërben në rritjen e perfomancës individuale por edhe ekipore”, tha Ademi.
“Po ashtu, nëpërmjet këtij programi do të kemi mundësi të rrisim edhe nivelin dhe rangimin e ligës tonë, pasi edhe ashtu mendoj se jemi në një nivel më të lartë se sa që aktualisht jemi të ranguar në nivel evropian dhe botëror”, shtoi më tej presidenti i FFK-së.
Në të dy vizitat, presidenti Ademi tregoi rëndësinë e GPS-it në futbollin e sotëm dhe u shpreh tejet i lumtur që FFK është duke i ndihmuar klubet kosovare në këtë aspekt.