Sigal Prishtina i është bashkuar Trepçës në gjysmëfinalet e play-offit të Superligës së Kosovës në basketboll, pas një fitoreje dramatike ndaj Vëllaznimit në ndeshjen e tretë vendimtare të serisë dhe atë pas vazhdimeve.
Në përballjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, prishtinasit fituan me rezultat 86:82, pas vazhdimeve pesëminutëshe.
Ndeshja ishte e luftuar, me Prishtinën që dominoi për pjesën më të madhe, që u sfidua në fund nga rikthimi i fuqishëm i skuadrës së trajnerit Jeronimo Shari.
Rezultati u barazua në 74:74, kur kishin mbetur vetëm 15 sekonda, pas dy gjuajtjeve të lira të realizuara nga Jericole Hellems. Në aksionin pasues, Jordan Davis fitoi dy gjuajtje të lira por i humbi të dyja. Megjithatë, rikuperoi topin në sulm, por nuk arriti të shënojë, duke e çuar ndeshjen në vazhdime.
Në periudhën shtesë, Prishtina reagoi shpejt, duke krijuar një seri të fuqishme prej 8:0 për epërsinë 82:74. Vëllaznimi u afrua deri në 83:80, por nuk arriti të përmbysë rezultatin.
Fitorja e çoi Prishtinën në gjysmëfinale, ku do të përballet me Trepçën, pasi e fitoi serinë çerekfinale ndaj Vëllaznimit me rezultat të përgjithshëm 2-1.