Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë dy herë në javë direkt në Amsterdam, pasi që sot në Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, është përuruar fluturimi i parë.
Levent Kaylaj, drejtori i operimeve në Aeroportin Ndërkombëtare të Prishtinës, u shpreh i lumtur që po hapin porta të reja fluturimit.
Ai tha se kjo linjë është e rëndësishme që të rriten dhe ruhet marrëdhëniet Kosovë-Holandë.
“Ky është fluturimi ynë i parë direkt nga Prishtina në Amsterdam. Jemi shumë të lumtur që hapim porta të reja dhe po planifikojmë të rritemi më shumë. Kjo është shumë e rëndësishme për ne që marrëdhëniet mes Holandës dhe Kosovës të rriten dhe të ruhen të gjitha marrëdhëniet e mira. Jemi shumë të lumtur që hapim fluturimin direkt. Do të jenë dy fluturime në javë, të hënën dhe të enjten, fluturimi sezonal, do të vazhdojë njësoj. Shpresojmë që të gjithë qytetarët tanë kosovarë dhe qytetarët holandezë të përfitojnë nga ky fluturim”, theksoi drejtori i operimeve në aeroportin ndërkombëtarë “Adem Jashari”.
Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karin Boven fillimin e udhëtimeve direkte Prishtinë-Amsterdam i konsideroi moment të madh dhe të mirë për marrëdhënie dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Holandës.
“Jam shumë e lumtur që tashmë sot kemi një fluturim direkt ndërmjet Prishtinës dhe Schipholit, ndërmjet Kosovës dhe Holandës. Është një arritje kaq e mirë që të gjithë prapaskenës e kanë bërë këtë të ndodhë. Ne po festojmë sot me menaxherin e aeroportit, ministria është këtu, dhe stafi im është këtu, dhe kështu në ekuipazhin… është gjithashtu këtu për të festuar. Ky është me të vërtetë një moment i madh, i mirë për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Holandës dhe shpresoj që pasagjerët të udhëtojnë shpesh për të vizituar dy vendet tona të bukura dhe shpresoj që edhe tregtia dhe investimet të rriten përmes kësaj mundësie të re të një fluturimi direkt”, tha ambasadorja holandeze në Kosovë.
Mundësia e fluturimeve nga Kosova drejt Amsterdamit dhe anasjelltas është mirëpritur edhe nga udhëtarët.
Nihal Shehu-Shurdhani e cila po udhëtonte nga Prishtina për në Amsterdam, u shpreh e gëzuar që udhëtimet ë saj me këtë linjë janë bërë më të lehta.
“Shumë më lehtë shumë jemi gëzuar që është hap kjo lidhje e re dhe na lehtëson se na mundëson që mos të shkojmë më larg në Gjermani apo diku tjetër është një zgjidhje shumë e mirë, edhe koha e përshtatshme për të udhëtuar”, tha ajo.
Edhe Naim Sahatçiu e sheh hap pozitiv hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Amsterdam.
Ai thotë se kjo linjë e shkurton edhe udhëtimin e udhëtarve.
“Është shumë lehtë dhe shumë mirë për ne si pasagjerë sepse tani udhëtojnë direkt për Amsterdam, përndryshe udhëtonim nga Gjermania apo shtetet tjera tash e kemi direkt shumë më lehtë dhe shumë më mirë”, u shpreh ai.
Në ceremoninë e përurimit të fluturimit të parë Amsterdam-Prishtinë morën pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtëm dhe Diasporës të Kosovës.