Të mërkurën, më 29 prill, me fillim nga ora 20:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë do të luhet finalja e madhe e Kupës së Kosovës në futsall.
Për trofeun do të përballen FC Prishtina 01 dhe FC Liqeni, dy skuadra që kanë treguar paraqitje të mira gjatë gjithë këtij edicioni dhe me meritë kanë siguruar vendin në finale.
Interesimi i tifozëve pritet të jetë i madh, ndërsa atmosfera sportive premton spektakël në kryeqytet. Në kampionat, më mirë qëndron FC Prishtina 01, e cila renditet në pozitën e dytë në Superligë, ndërsa FC Liqeni mban vendin e gjashtë.
Megjithatë, finalet gjithmonë sjellin emocione dhe rezultate të paparashikueshme, ndaj edhe kësaj radhe pritet një duel i fortë, i luftuar dhe i baraspeshuar deri në fund.
